Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e nëntë, teksa të shtunën në mëngjes kanë vazhduar sulmet nga të dyja shtetet. Edhe në sulmin e së shtunës, Izraeli synoi bazat bërthamore iraniane. Irani ndërkohë gjuajti raketa në Tel Aviv si dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Erdogan: Sulmet e Izraelit kanë për qëllim t’i sabotojnë bisedimet bërthamore

1 o. më parë / 21 qer 2025 12:24
Erdogan

Photo: Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të shtunën se sulmet e Izraelit kundrejt Iranit kanë për qëllim sabotimin e bisedimeve bërthamore mes Republikës Islamike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka raportuar The Guardian.

Sipas tij, këto veprime tregojnë qartazi se Izraeli nuk dëshiron që ta zgjidhë çështjen nëpërmjet mjeteve diplomatike.

Tek ka folur gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm në Stamboll, Erdogani u ka bërë thirrje shteteve që kanë ndikim mbi Izraelin të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut, dhe të mos e lejojnë konfliktin që të zgjerohet.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve myslimane që të shtojnë përpjekjet e tyre për të vendosur masa ndëshkuese kundër Izraelit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
 

Të paktën 430 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i konfliktit, njoftojnë autoritetet

1 o. më parë / 21 qer 2025 12:19
Iran

Photo: Associated Press

Të paktën 430 persona janë vrarë dhe 3,500 janë plagosur në Republikën Islamike të Iranit që nga fillimi i konfliktit me Izraelin javën e kaluar, ka raportuar agjencia e lajmeve Nour, tek ka cituar Ministrinë iraniane të Shëndetësisë.

Ky është përditësimi i parë zyrtar mbi numrin e viktimave në Iran pas disa ditësh.

Të dielën e kaluar, në Ministrinë e Shëndetësisë së Iranit kishin njoftuar se të paktën 224 persona ishin vrarë, teksa një grup i të drejtave të njeriut e kishte vendosur numrin jozyrtar të viktimave në 657.

Ndërkohë, bilanci i të vdekurve në Izrael gjatë periudhës së njëjtë ka shkuar në 25.
 

Kryediplomati iranian paralajmëron: Përfshirja e SHBA-së do të ishte ‘shumë, shumë e rrezikshme’

2 o. më parë / 21 qer 2025 11:57
Abbas Aragchi

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, ka paralajmëruar të shtunën se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit do të ishte “shumë, shumë i rrezikshëm”, ka raportuar BBC.

Ai ka pretenduar, ndonëse nuk ka ofruar prova konkrete, se “SHBA-ja ka qenë e përfshirë në agresionin e Izraelit që nga dita e parë”.

Krahas kësaj, Araghchi ka shtuar se vendi i tij “nuk mund të vazhdojë negociatat me SHBA-në, përderisa populli iranian bombardohet”, porse nuk e ka përjashtuar mundësinë për “zgjidhje të negociuar rreth programit bërthamor”.

“Diplomacia ka funksionuar në të kaluarën dhe mund të funksionojë përsëri në të ardhmen. Në mënyrë që ne t’i kthehemi përsëri rrugës diplomatike, agresioni duhet të ndalet”, ka thënë Aragchi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, veçse i ka aprovuar planet për të sulmuar Iranin më herët gjatë javës, porse i ka dhënë afat dyjavor udhëheqësisë së Republikës Islamike që ta braktisë zhvillimin e programit bërthamor. 

Luftimet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në ditën e nëntë. Izraeli po synon t’i shkatërrojë potencialin bërthamor Iranit.

Putin: I kemi thënë Izraelit se s’ka prova që Irani dëshiron të prodhojë armë bërthamore

3 o. më parë / 21 qer 2025 10:55
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se i kanë bërë vazhdimisht me dije Izraelit se s’ka prova që Irani ka për qëllim të prodhojë armë bërthamore.

“Si Rusia, ashtu dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), nuk kanë pasur kurrë prova se Irani po përgatitet për të zotëruar armë bërthamore, gjë që ja kemi bërë me dije në vazhdimësi udhëheqësisë së Izraelit”, ka thënë Putin, sipas agjencisë e lajmeve “Sky News Arabia”.

Ai ka ritheksuar gatishmërinë e Rusisë për ta mbështetur Republikën Islamike në zhvillimin e një programi bërthamor me qëllime paqësore, tek ka shtuar se Teherani zyrtar ka të drejtën legjitime për ta bërë një gjë të tillë.

Teksa ka folur gjatë një forumi ekonomik të mbajtur në Shën Petersburg të premten, Putini ka thënë se Rusia ka ndarë disa ide se si duhet të ndalohet gjakderdhja në konfliktin Izrael-Iran, ndonëse s’ka ofruar detaje shtesë sa u përket këtyre ideve.

Irani do t’i vazhdojë bisedimet diplomatike në Stamboll

4 o. më parë / 21 qer 2025 10:00
Abbas Aragchi

Pas takimit të mbajtur të premten së bashku me homologët e tij evropianë në Gjenevë të Zvicrës, kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, ka udhëtuar për në Stamboll të Turqisë, me qëllimin për të vazhduar bisedimet diplomatike, ka shkruar BBC.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka raportuar se Aragchi ka mbërritur në Turqi në mëngjesin e së shtunës (sot) për t’u takuar me përfaqësues nga bota arabe.

“Në këtë takim, me sugjerimin e Iranit, çështja e sulmeve të regjimit zionist ndaj vendit tonë do të adresohet specifikisht”, ka thënë Araghchi.

Ndërkaq, luftimet po vazhdojnë edhe për ditën e nëntë me radhë, teksa ushtria izraelite ka njoftuar për një valë të re sulmesh kundër depove dhe infrastrukturës raketore në Republikën Islamike, disa orë pasi Irani kishte lëshuar raketa në drejtim të Izraelit qendror.

Krahas kësaj, shpërthime u dëgjuan po ashtu pranë Tel Avivit.

Irani arreston 22 “spiunë” të Izraelit

4 o. më parë / 21 qer 2025 09:49
iran

Autoritetet policore në provincën Qom të Iranit kanë njoftuar të shtunën se 22 persona “të lidhur me shërbimet e spiunazhit të Izraelit” janë arrestuar që nga data 13 qershor, ka raportuar agjencia e lajmeve Fars.

“22 persona janë identifikuar dhe arrestuar me akuzat për lidhje me shërbimet e spiunazhit të regjimit zionist, tronditje të opinionit publik dhe mbështetje për regjimin kriminal”, thuhet në raportimin e Farsit, që ka cituar kreun e inteligjencës së policisë në provincën Qom.

Këto zhvillime kanë ndodhur pasi policia iraniane kishte njoftuar po ashtu për arrestimin e 24 personave nën akuzat e spiunazhit për Izraelin dhe përpjekje për ta njollosur imazhin e vendit.

Një shtetas evropian është gjithashtu në mesin e të arrestuarve për spiunazh, kanë raportuar mediat iraniane, pa dhënë kombësinë ose datën e arrestimit.

Organizata norvegjeze “Iran Human Rights” ka bërë të ditur se në periudhën e fundit të paktën 223 persona janë arrestuar në mbarë vendin për akuza të lidhura me bashkëpunim me Izraelin, duke paralajmëruar se shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë edhe një komandant të Gardës Revolucionare të Iranit

4 o. më parë / 21 qer 2025 09:05
Saeed Izadi

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë të shtunën se kanë vrarë komandantin veteran të Gardës Revolucionare Islamike, Saeed Izadi, gjatë sulmit ndaj një apartamenti në Qom të Iranit.

Komandanti veteran kishte udhëhequr Korpusin e Palestinës të Forcës Quds, sipas një deklarate të Katz që u citua nga agjencia Reuters.

Nuk ka pasur ende konfirmim nga ana e Gardës Revolucionare.

Forca Quds ka ndërtuar një rrjet aleancash të njohur si Boshti i Rezistencës, duke përfshirë themelimin e Hezbollahut në Liban në vitin 1982 dhe mbështetjen për grupin militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ky rrjet i lidhur me Iranin ka pësuar goditje të rënda gjatë dy vjetëve të fundit, pasi fushatat ushtarake të Izraelit kanë dobësuar ndjeshëm si Hamasin ashtu edhe Hezbollahun.

Katz ka shtuar se Izadi kishte financuar dhe armatosur Hamasin gjatë sulmeve të 7 tetorit, duke e përshkruar vrasjen e tij si një “arritje madhore për inteligjencën izraelite dhe Forcën Ajrore”.

Izadi ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të lidhjeve të tij të pretenduara me Hamasin dhe grupin militant palestinez Xhihadi Islamik.

Prej tetë ditësh kur kanë nisur sulmet, Izraeli ka vrarë disa prej komandantëve të lartë të Gardës Revolucionare.

Izraeli godet një nga objektet bërthamore më të mëdha të Iranit

5 o. më parë / 21 qer 2025 08:38
iran

Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të reja në orët e para të mëngjesit të së shtunës, teksa konflikti mes dy vendeve ka hyrë në ditën e tetë.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Izraeli kishte shënjestruar një objekt bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend, por se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve të rrezikshme.

Mediat iraniane gjithashtu raportuan se Izraeli kishte sulmuar një ndërtesë në qytetin e Qomit, duke vrarë një fëmijë 16-vjeçar dhe duke plagosur dy persona të tjerë.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer një valë sulmesh ndaj depozitave të raketave dhe vendndodhjeve të lëshimit të raketave në Iran.

Pak pas orës 2:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale të Izraelit, ushtria izraelite paralajmëroi për një sulm me raketa nga Irani. U ndezën sirenat në të gjithë Izraelin qendror, përfshirë Tel Avivin, si dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Në qiellin mbi Tel Aviv u dëgjuan shpërthime që jehonin në të gjithë zonën metropolitane, ndërsa sistemet mbrojtëse të Izraelit reagonin.

Sirenat u dëgjuan gjithashtu në jug të Izraelit, njoftoi shërbimi kombëtar i emergjencës Magen David Adom. Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Irani kishte lëshuar pesë raketa balistike dhe se nuk kishte indikacione të menjëhershme se ndonjë prej tyre kishte goditur objektivin.

Nuk ka raportime fillestare për viktima në Izrael.