Botë

Sulmet ajrore ruse godasin Kievin, të paktën tre të vdekur

Volodymyr Zelensky

Sulmet ajrore ruse goditën Kievin gjatë natës, në sulmin e dytë vdekjeprurës brenda 24 orësh, vetëm pak orë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për shtimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.

Sulmet ajrore, sipas Shërbimit të Emergjencave të Shtetit të Ukrainës, morën jetën e të paktën tre personave dhe plagosën dhjetëra të tjerë, konfirmoi ky shërbim të dielën.

“Janë tashmë 29 të plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë. Më i riu është katër vjeç”, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram.

Një zjarr shpërtheu në një ndërtesë 9-katëshe banimi në rajonin Desnianskyi, nga e cila 13 persona u shpëtuan nga katet e sipërme. Përveç kësaj, një dron goditi një ndërtesë 16-katëshe, duke thyer dritaret nga kati i parë deri në katin e nëntë, raportuan ekipet e emergjencës. Një dron tjetër goditi një ndërtesë të lartë në distriktin Obolonskyi, por zjarrfikësit thanë se objekti nuk ishte shpërthyer në flakë.

“Të gjithë janë duke marrë ndihmë mjekësore, disa janë shtruar në spital,” tha administrata ushtarake e Kievi-t në Telegram.

Alarmet e sulmeve ajrore ishin në fuqi në Kiev dhe zonat përreth për rreth një orë e gjysmë, derisa Forca Ajrore e Ukrainës i ndërpreu ato pak para mesnatës të dielën.

Nuk dihet menjëherë shkalla e sulmit dhe dëmet e tij. Klitschko nuk konfirmoi nëse ndërtesat ishin goditur drejtpërdrejt ose ishin dëmtuar nga rrënojat që ranë nga armët e shkatërruara.

Sistemet e mbrojtjes ajrore ruse shkatërruan një dron që po shkonte drejt Moskës, tha kryetari i qytetit të Moskës, Sergei Sobyanin, të dielën.

Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi një post komandimi të forcave ruse dhe u takua me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Valery Gerasimov, tha Kremlini të dielën. “Presidentit iu dha një raport i detajuar mbi situatën në vijën e kontaktit”, tha një deklaratë e Kremlinit.