Shtetet e Bashkuara kryen një valë të re sulmesh ajrore në orët e para të së hënës kundër Iranit, pasi njoftuan vdekjen e një tjetër ushtaraku amerikan. Irani u kundërpërgjigj duke ndërmarrë një sulm ndaj Bahreinit, ku ndodhet Flota e 5-të e Marinës së SHBA-së, si dhe ndaj Kuvajtit.
Sulmet e fundit treguan edhe një herë se, hap pas hapi, SHBA-ja dhe Irani i janë afruar gjithnjë e më shumë një lufte të plotë, ndërsa marrëveshja e përkohshme e arritur muajin e kaluar, e cila synonte t’i jepte fund përfundimisht luftimeve, është prishur dhe trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është ndalur në masë të madhe. Të dyja palët kanë goditur infrastrukturë civile nga e cila varen miliona njerëz, ndërkohë që çmimi referues i naftës Brent u rrit të hënën mbi 90 dollarë për fuçi, duke përkeqësuar më tej krizën globale të energjisë të shkaktuar nga konflikti.
Ushtria amerikane njoftoi se ushtaraku humbi jetën në Irak të shtunën gjatë një "shpërthimi" për asgjësimin e një droni iranian të rrëzuar.
"I goditëm përsëri shumë fort sonte," tha presidenti amerikan Donald Trump. "Dhe e bëmë këtë në nder të ushtarëve të vrarë," shtoi ai.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi një valë të re sulmesh në orët e para të së hënës, duke shënuar natën e nëntë radhazi të operacioneve. Sipas saj, objektivat përfshinin "qendra komanduese ushtarake iraniane, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe të vëzhgimit bregdetar, kapacitete detare, vende të lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe rrjete komunikimi."
Nuk pati menjëherë njoftime nga Irani për viktima ose dëme si pasojë e sulmeve. Mediat shtetërore iraniane raportuan se u dëgjuan shpërthime në jug dhe veriperëndim të Iranit.
Edhe
SHBA-ja shtrin sulmet në veri të Iranit
Ndërsa sulmet po zhvilloheshin, një anije u përfshi nga flakët në orët e para të së hënës në Ngushticën e Hormuzit, pranë bregdetit të Omanit, njoftoi ushtria britanike. Nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin në ujërat pranë Omanit, një rrugë detare që ushtria amerikane u ka rekomanduar anijeve ta përdorin për të shmangur zonat nën kontrollin e Iranit. Më vonë, Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se kishte në shënjestër cisternat e naftës në ngushticë.
Teherani është kundërpërgjigjur duke goditur vende aleate të SHBA-së në mbarë Lindjen e Mesme. Bahreini aktivizoi sirenat e alarmit për raketa të hënën në mëngjes, ndërsa Kuvajti njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po vepronin kundër një breshërie raketash iraniane që po afrohej.
Houthët njoftojnë bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite
Rebeltët Houthi të Jemenit, të lidhur me Iranin, kanë paralajmëruar të hënën se po vendosin një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, një veprim që hap një front të ri kundër Shteteve të Bashkuara në luftën e saj kundër Iranit dhe zgjeron kërcënimin për furnizimet globale të energjisë dhe tregtinë përtej Gjirit.
Irani i kishte ushtruar presion Huthëve që të mbyllnin portën hyrëse Bab el-Mandeb për në Detin e Kuq nëse SHBA-ja vazhdonte të sulmonte infrastrukturën energjetike iraniane.
Në deklaratën e tyre, forcat e armatosura të Houthëve kanë thënë se po shpallnin “një embargo detare kundër armikut kriminal saudit, bazuar në ekuacionin 'sy për sy', me efekt të menjëhershëm...”.
Ata kanë thënë se vendimi ishte në përgjigje të asaj që e quajtën “një rrethim i padrejtë dhe shtypës” i imponuar jemenit nga sauditët.
Mbyllja e plotë e ngushticës Bab el-Mandeb do të zvogëlonte furnizimin global me naftë me 7%, pasi do të pengonte shumicën e eksporteve të naftës saudite.
Njoftimi i Houthëve pasoi shenjat nga Irani dhe SHBA-ja se ata donin të rifillonin përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund një cikli përshkallëzues sulmesh që pothuajse ka shkatërruar marrëveshjen e përkohshme të brishtë të nënshkruar muajin e kaluar.
Ndërmjetësit kërkojnë 10 ditë armëpushim SHBA-Iran
SHBA-ja ka zgjeruar ofensivën e saj ajrore kundër Iranit, duke goditur një qytet ku ndodhet një termocentral bërthamor, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit, në një kohë kur diplomatët këmbëngulin se bisedimet po vazhdojnë.
Të hënën, mediat iraniane raportuan për sulme në zonën e Tabrizit, ku besohet se ndodhen baza nëntokësore raketore, si dhe në Bushehr, vendndodhja e të vetmit termocentral bërthamor civil funksional të vendit.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka deklaruar se kishte goditur “qendra të komandës ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pika të mbikëqyrjes bregdetare, kapacitete detare, baza për lëshimin e raketave e dronëve, si dhe rrjete komunikimi”.
Irani ka ndërmarrë sulme kundër Bahreinit, ku është e stacionuar Flota e Pestë e Marinës së SHBA-së dhe Kuvajtit, krahas goditjes së cisternave në Ngushticën e Hormuzit, e cila para luftës transportonte një të pestën e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.
Reuters ka raportuar të hënën sipas një zyrtari të lartë iranian se ndërmjetësit i kanë dorëzuar Iranit një propozim për uljen e tensioneve në konfliktin me SHBA-në, i cili parashikon një armëpushim 10-ditor për të gjetur mënyra për të ringjallur marrëveshjen e përkohshme të arritur muajin e kaluar.
Irani zotohet të mos lejojë “asnjë pikë të vetme” nafte apo gazi të kalojë nëpër Hormuz
Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar të hënën se ka shënjestruar me raketa balistike avionë amerikanë në aeroportin Akaba të Jordanisë.
Ajo gjithashtu pretendon se dy cisterna nafte kishin shpërthyer dhe ishin bërë të palëvizshme pasi u përpoqën të kalonin përmes asaj që e ka përshkruar si një rrugë jugore të pasigurt në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se ato ishin inkurajuar nga ushtria amerikane për ta përdorur atë kalim.
Deklarata e Gardës Revolucionare Islamike nuk dha detaje mbi emrat, flamujt, ekuipazhet apo ndonjë viktimë të mundshme të anijeve, raporton Reuters, duke shtuar se nuk mund ta verifikonte menjëherë incidentin.
Garda ka shtuar se ngushtica do të mbetej e pasigurt për sa kohë që vazhdonte ajo që ajo e ka quajtur "agresion" amerikan në rajon, duke paralajmëruar se "ky kalim nuk do të jetë i sigurt për transportin e produkteve petrokimike, e as për ndonjë pikë të vetme nafte apo gazi".
Ajo gjithashtu ka paralajmëruar ushtrinë amerikane që të përgatitej për një "operacion ndëshkues".
SHBA-ja ka intensifikuar sulmet ndaj Iranit ditëve të fundit, sidomos pas vrajes së dy ushtarakëve amerikanë nga një sulm i Teheranit në Jordani.
Ndërkaq Irani si kundërpërgjigje po sulmon bazat amerikane në vendet e Gjirit.
Rriten edhe më tej çmimet e naftës pas sulmeve SHBA-Iran
Çmimet e naftës janë rritur me rreth 3% të dielën, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme reciproke për më shumë se një javë.
Nafta "Brent", që shërben si referencë ndërkombëtare, është rritur me 3% në rreth 90,78 dollarë për fuçi.
Qarkullimi në ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e furnizimit global me naftë në kushte normale, ka shënuar rënie pas përshkallëzimit të tensioneve javën e kaluar. Të mërkurën, SHBA-ja ka rikthyer bllokadën detare ndaj porteve iraniane
Disa anije kanë përdorur rrugë alternative, përfshirë ato përgjatë bregdetit të Omanit, një veprim që nuk miratohet nga Teherani zyrtar.
Rubio: SHBA-ja është e hapur për diplomaci por u përgjigjet sjelljeve të Iranit
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për negociata me Iranin, por se diplomacia duhet të jetë "reale".
"Duhet të jetë një marrëveshje që ata janë të gatshëm ta respektojnë. Shikoni, një javë më parë Irani duhej të kishte lëshuar një deklaratë ku thuhej se Ngushtica e Hormuzit do të ishte e hapur dhe se ata nuk do të sulmonin më anijet. Dhe në vend që ta bënin këtë, ata sulmuan tri anije”, ka thënë Rubio të dielën në mbrëmje, duke folur me gazetarët para se të nisej për takimin e ASEAN-it në Filipine.
Rubio ka thënë gjithashtu se Irani nuk po përmbush pjesën e tij të marrëveshjes së fundit me Shtetet e Bashkuara.
"Ata nuk po e respektojnë atë. Dua të them, ngushtica duhet të jetë e hapur, pa tarifa, pa sulme dhe pa të gjitha ato veprime që ata po kryejnë kundër këtyre anijeve. Pra, nuk mund të ketë një memorandum mirëkuptimi në fuqi nëse ata po shkelin kushtet e tij”, është shprehur Rubio.
Kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar rikthimin e bllokadës ndaj Iranit të hënën, ai ka thënë gjithashtu se do të vendoste një tarifë prej 20% për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, ai ka hequr dorë nga plani për mbledhjen e tarifave pak orë para rifillimit të bllokadës, duke përmendur kërkesat e aleatëve në Gjirin Persik. Rubio, megjithatë, ka shpjeguar arsyetimin e presidentit Trump.
"Pra, ajo që presidenti po thekson në thelb është se, në një moment të caktuar, vendet dhe kombet që përfitojnë nga transporti detar përmes ngushticave duhet të jenë në gjendje të angazhohen dhe të ofrojnë të paktën ndihmë financiare për kostot e ofrimit të këtij shërbimi shumë të vlefshëm”.