Botë

Sulm masiv rus mbi Ukrainën, bisedimet për armëpushim të pasigurta

ukraina

Foto: Associated Press

Sulmet ruse me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës kanë vrarë të paktën dy persona, përfshirë një vajzë 9-vjeçare, ndërsa mbetet e pasigurt nëse diplomatët e Kievit do të marrin pjesë në rundin e dytë të bisedimeve të propozuara nga Moska në fillim të javës së ardhshme në Stamboll, shkruan AP.

Sipas Forcës Ajrore të Ukrainës, forcat ruse lëshuan rreth 109 dronë dhe pesë raketa brenda natës së kaluar deri në orët e hershme të së shtunës në mbarë vendin. Tre raketa dhe 42 dronë u shkatërruan, ndërsa 30 dronë të tjerë nuk arritën objektivat e caktuara dhe nuk shkaktuan dëme.

Një vajzë 9-vjeçare u vra nga një sulm në fshatin Dolynka përgjatë vijës së frontit, në rajonin e Zaporizhzhias, dhe një 16-vjeçar mbeti i lënduar, sipas guvernatorit të Zaporizhzhias, Ivan Fedorov.

“Një shtëpi u shkatërrua. Shpërthimi dëmtoi gjithashtu disa shtëpi të tjera, makina dhe ndërtesa ndihmëse”, ka shkruar Fedorov në rrjetin social Telegram.

Një burrë tjetër u vra nga bombardimet ruse në rajonin Kherson të Ukrainës, bazuar në postimin e guvernatorit Oleksandr Prokudin në Telegram.

Moska zyrtare nuk ka komentuar për asnjërën nga sulmet.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar të shtunën se kishte marrë kontrollin e fshatit ukrainas Novopil në rajonin e Donjetskut, si dhe të fshatit Vodolahy në rajonin verior të Sumyt. 

Autoritetet ukrainase në Sumy urdhëruan evakuime të detyrueshme në 11 vendbanime të tjera, pasi forcat ruse po bëjnë përparime të vazhdueshme në këtë zonë.