Botë

Stërvitjet e NATO-s tregojnë se po përgatitet për konflikt me Rusinë, thotë Moska

Stërvitjet e NATO-s

Stërvitjet e NATO-s

Foto: Associated Press

Stërvitjet katër-mujore të NATO-s afër kufirit me Rusinë janë një provë se aleanca po përgatitet për një konflikt potencial me Rusinë, ka thënë të shtunën zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Ajo i ka hedhur poshtë akuzat e NATO-s këtë javë se Rusia është e përfshirë në sulme kibernetike ndaj shteteve anëtare të saj, duke thënë se kjo është një “dezinformatë” me qëllim që të largohet vëmendja e njerëzve nga aktivitetet e aleancës, raporton Reuters.

Zakharia ka thënë se ishte NATO-ja ajo që ka kryer luftë hibride me Rusinë, duke e mbështetur Ukrainën me armatim, inteligjencë dhe financa.

“Tani për tani, afër kufirit me Rusinë po ndodhin stërvitjet më të mëdha të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë. Sipas skenarit të tyre, veprimet e koalicionit kundër Rusisë po praktikohen duke përdorur të gjitha instrumentet, përfshirë armët hibride dhe konvencionale”, ka thënë ajo në një deklaratë.

“Duhet të pranojmë se NATO-ja është duke u përgatitur seriozisht për konflikt potencial me ne”, ka shtuar ajo.

Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë më armiqësoret në dekada, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Në njoftimin për fillimin e stërvitjeve në janar, NATO-ja ka thënë se 90,000 trupa do të marrin pjesë, duke përsëritur se si trupat amerikane mund të përforconin aleatët evropianë në vendet në kufi me Rusinë dhe në krahun lindor të aleancës nëse një konflikt do të ndizej. Stërvitjet më të mëdha të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë, do të zgjasin deri në maj.

LEXO EDHE: