Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin, po bllokon rrugën drejt armëpushimit midis Rusisë dhe Ukrainës, pas refuzimit për t’u takuar ballë për ballë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Turqi.
I pyetur se cili është mesazhi i tij për presidentin rus, Starmer ka thënë se “çfarë ka ndodhur sot është provë shtesë se Putini është duke e zvarritur procesin”.
“Është Putini, ai që po shkakton vonesa në arritjen e armëpushimit. Ukraina ka qenë prej kohësh e qartë se ata dëshirojnë një armëpushim të plotë 30-ditor, dhe ne kemi thënë prej kohësh se është Putini, ai që po e bllokon rrugën drejt paqes", ka thënë Starmer.
Negociatat e shumëpritura për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritej të nisnin në mëngjesin e së enjtes, në Stamboll, janë shtyrë për më vonë gjatë ditës.
E me gjithë ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime ballë për ballë, homologu i tij rus, Vladimir Putin, ka vendosur të mos udhëtojë për në Ankara, duke dërguar vetëm një delegacion të përbërë nga zyrtarë të lartë qeveritarë.
