Botë

Spanja dislokon ushtrinë për të luftuar me zjarret

spanje

Zjarrfikësit nga njësitë ushtarake të emergjencave të Spanjës kanë punuar gjatë gjithë natës për të luftuar zjarret që po përhapen me shpejtësi në rajonet qendrore të Cáceres dhe Ávila, kanë njoftuar të enjten autoritetet.

Shërbimi i emergjencës, i njohur ndryshe si “UME”, ka gjithsej 238 oficerë dhe 91 automjete në terren në Cáceres.

Ndërkaq, rreth 130 zjarre janë raportuar deri më tani në Spanjë.

Zjarret janë përhapur gjithashtu edhe në rajonin veriperëndimor të Galicias, porse zjarrfikësit kanë bërë të ditur se Cáceres dhe Ávila vazhdojnë të mbesin zonat më të rrezikuara.

Statistikat zyrtare kanë treguar se Spanja ka përjetuar më shumë zjarre në vitin 2025 sesa në vitet e mëparshme, megjithëse sipërfaqja totale e tokës së djegur është më e vogël.

Evropa është kontinenti që po ngrohet më së shpejti në botë, me temperaturat që janë rritur dyfish më shpejt sesa mesatarja globale që nga vitet e 80-ta, sipas Shërbimit për Ndryshimet Klimatike “Copernicus” të Bashkimit Evropian.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë shpeshtësinë dhe intensitetin e të nxehtit dhe thatësirës, gjë që i bën zonat më të cenueshme ndaj zjarreve.