Botë

Sllovakia refuzon të bëhet pjesë e planeve të BE-së për ndihma ndaj Ukrainës

Robert Fico

Foto: Associated Press

Sllovakia nuk do të marrë pjesë në asnjë program të Bashkimit Evropian që synon financimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, ka thënë të dielën kryeministri, Robert Fico.

Sllovakia ndaloi ndihmën ushtarake shtetërore për Ukrainën kur qeveria e Ficos erdhi në pushtet në vitin 2023, por ka lejuar shitjet komerciale. 

Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord të enjten të përmbushin "nevojat urgjente financiare" të Ukrainës për dy vjetët e ardhshëm, por nuk miratuan një plan për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar një kredi prej 140 miliardë eurosh për Kievin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se paratë mund të përdoren menjëherë për të forcuar mbrojtjen ajrore, flotën ajrore dhe pozicionet në vijën e frontit të Ukrainës.

"Unë refuzoj të lejoj Sllovakinë të marrë pjesë në çdo skemë financiare që synon të ndihmojë Ukrainën të menaxhojë luftën dhe shpenzimet ushtarake”, ka thënë Fico në një konferencë për shtyp.

Fico ka kritikuar gjithashtu sanksionet e BE-së kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, duke thënë se ato e dëmtojnë më shumë Evropën. 

Sllovakia dhe Hungaria, të dyja blerëse të furnizimeve ruse të energjisë, tani përballen me sanksionet e SHBA-së ndaj kompanive ruse të naftës Rosneft dhe Lukoil, të cilat pritet të hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm.