Kryeministri Anthony Albanese është fituesi i zgjedhjeve të mbajtura në Australi të shtunën, porse është ende e paqartë nëse e ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, kanë raportuar mediat lokale duke u bazuar në numërimet fillestare.
Rezultatet preliminare sugjerojnë se Partia Laburiste e Albaneses ka përfituar nga lëkundjet e votuesve në mbarë vendin, duke triumfuar mbi rivalët e Partisë Liberal-Nacionale të udhëhequr nga Peter Dutton.
Kostoja e lartë e jetesës, sistemi shëndetësor në gjendje të mjerueshme, mungesa e strehimit të përballueshëm dhe presidenca e paparashikueshme e presidentit amerikan, Donald Trump, ishin ndër çështjet kryesore që preokupuan australianët gjatë fushatës zgjedhore.
Një sërë kandidatësh të pavarur dhe nga partia e majtë “Greens” mund të luajnë rol vendimtar në përbërjen përfundimtare të qeverisë.
Albanese pati fituar edhe zgjedhjet e vitit 2022. Ishte zgjedhur kryeministri numër 31 i Australisë.
Albanese fiton mandatin e dytë si kryeministër i Australisë
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka siguruar mandatin e dytë trevjeçar, duke u bërë kështu udhëheqësi i parë në dy dekadat e fundit që arrin dy fitore radhazi. Zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura të shtunën u dominuan nga kriza e kostos së jetesës, por përfunduan me rikthim të fuqishëm për të majtët.
Partia Laburiste e Albaneses është në rrugë të duhur për të siguruar shumicë të konsiderueshme në parlament, ndërsa Peter Dutton, lideri i Partisë Liberale konservatore, pranoi humbjen.
Në fjalimin e fitores, Albanese theksoi përkushtimin për ta udhëhequr Australinë në një kohë të pasigurisë globale, duke theksuar vlerat e brendshme dhe solidaritetin kombëtar.
“Australianët kanë zgjedhur të përballen me sfidat globale në mënyrën australiane – duke u kujdesur për njëri-tjetrin ndërsa ndërtojnë për të ardhmen. Ne nuk kemi nevojë të lypim, të marrim hua apo të kopjojmë nga të tjerët. Frymëzimin tonë e gjejmë te vlerat tona dhe te njerëzit tanë”, ka thënë ai përpara mbështetësve në Sydney.
Albanese theksoi se fitorja ishte votë për vlerat australiane – për drejtësi, aspiratë dhe mundësi për të gjithë.
“Në këtë kohë pasigurie globale, australianët kanë zgjedhur optimizmin dhe vendosmërinë”, përfundoi ai mes brohoritjeve të shumta.
Fitorja e tij përfaqëson jo vetëm një kthesë politike për Australinë, por edhe një shenjë të mbështetjes së vazhdueshme për qasjen e tij sociale dhe ekonomike në një kohë sfiduese.