Botë

Si e zbuloi doktori që kuzhinierja e kërpudhave ishte vrasëse

kerpurdha

Në një spital të vogël në zonën rurale të Viktorias, Australi, një mjek i zakonshëm u gjend në qendër të një historie të jashtëzakonshme krimi. Brenda pak minutash pasi Erin Patterson hyri në ambientet e urgjencës, Dr. Chris Webster e kuptoi se nuk kishte përballë thjesht një paciente – por një vrasëse të ftohtë dhe të paepur. Ky është rrëfimi i një mjeku që, me intuitë dhe ndjeshmëri të rrallë, ndihmoi në zbardhjen e një krimi të tmerrshëm: helmimin me kërpudha vdekjeprurëse të një familjeje të tërë – një akt që tronditi Australinë dhe gjithë opinionin publik ndërkombëtar.

Brenda pak minutash pasi Erin Patterson hyri në spitalin e vogël në zonën rurale të shtetit Victoria, mjeku Chris Webster kuptoi se kishte përballë një vrasëse të ftohtë dhe pa ndjenja.

“Unë e kuptova menjëherë”,  i tregoi ai BBC-së.

“Mendova me vete: ‘Po, ti e ke bërë. Je një person i pashpirt dhe i lig. I ke helmuar të gjithë’”.

Dr. Webster kishte kaluar mëngjesin duke u përpjekur me urgjencë të trajtonte dy nga katër personat që, sipas vendimit të jurisë së gjykatës këtë javë, Erin i kishte helmuar me qëllim të plotë – duke fshehur kërpudhat helmuese brenda një ushqimi tradicional britanik, një “Beef Wellington”, që ajo e kishte përgatitur në shtëpinë e saj në muajin korrik të vitit 2023.

Ajo u shpall fajtore për vrasjen e qëllimshme të vjehrrit dhe vjehrrës së saj, Don dhe Gail Patterson, të dy 70 vjeç, si edhe për vrasjen e kunatës së Gailit, zonjës Heather Wilkinson, e cila ishte 66 vjeçe. Po ashtu, Erin u shpall fajtore për tentativë vrasjeje ndaj pastorit lokal, Ian Wilkinson – bashkëshorti i Heatherit – i cili fatmirësisht arriti të mbijetojë pas javësh të tëra trajtimi intensiv në spital.

“Pasditja e mrekullueshme” 

Mirëpo në fillim, kur Heather dhe Ian erdhën në spitalin e vogël të Leongathas duke shfaqur simptoma të rënda të ngjashme me gastroenteritin, Dr. Webster dhe ekipi i tij menduan se kishin të bënin me një rast të zakonshëm të helmimit nga ushqimi.

Heather i kishte përshkruar atij një pasdite të “mrekullueshme” të kaluar në shtëpinë e Erinit, sipas asaj që dëshmoi mjeku gjatë gjyqit.

“E pyeta Heatherin një moment se si i ishte dukur mishi që e kishin ngrënë dhe ajo tha se kishte qenë i shijshëm",  tha Dr. Webster para trupit gjykues.

Fillimisht, dyshimet e tij ranë mbi mishin, ndaj vendosi të marrë disa mostra gjaku si masë paraprake dhe i dërgoi për analizë në një qytet me laboratorë më të avancuar mjekësorë. Ndërkohë, nisi trajtimin me lëngje për çiftin Wilkinson.

Por më pas, Dr. Webster mori një telefonatë nga një mjek në spitalin e Dandenongut – rreth 90 minuta larg me makinë – ku po trajtoheshin Doni dhe Gaili. Në atë moment, zemra e tij nisi të rrahë më shpejt  nga ajo që dëgjoi.

“Nuk është mishi”,  i tha ajo. “Janë kërpudhat”.

Dhe ishte pikërisht në këtë moment që Dr. Webster kuptoi seriozitetin e situatës dhe filloi menjëherë trajtimin intensiv për të shpëtuar funksionimin e mëlçive të pacientëve, përpara se t’i transferonte ata drejt një spitali më të madh ku do mund të merrnin kujdes më të specializuar.

Në atë çast, dikush troket në derën e spitalit.

Pas një xhami të tejdukshëm sigurie ndodhej një grua që thoshte se kishte simptoma të ngjashme me gastro.

“E pyeta: ‘si e keni emrin?’ Dhe ajo u përgjigj: 'Erin Patterson’”, tregon Dr. Webster.

“Dhe aty më ra pika… ishte kuzhinierja”.

Ai e ftoi Erinin të hynte brenda dhe i tregoi asaj se kishte dyshime serioze se ajo dhe mysafirët e saj kishin pësuar helmim nga kërpudhat më helmuese që ekzistojnë. I kërkoi informacion mbi origjinën e kërpudhave të përdorura në recetë.

“Përgjigjja e saj ishte vetëm një fjalë: ‘Woolworths’”, thotë ai.

“Dhe gjithçka u lidh në kokën time”.

Dr. Webster shpjegon se ishin dy gjëra që e bindën për fajësinë e saj që në atë moment.

Së pari, përgjigjja që ajo dha ishte jashtëzakonisht e pabesueshme. Po të pranonte që kishte mbledhur kërpudha nga natyra, siç bëjnë shumë banorë të zonës, nuk do dukej aq e dyshimtë. Por të pretendonte se kërpudhat ishin nga një zinxhir i madh marketesh me standarde të larta të sigurisë ushqimore, ishte më se e çuditshme dhe alarmuese.

Së dyti, nuk tregoi asnjë lloj shqetësimi për viktimat. Ndonëse ishte vetëm disa metra larg nga dhoma ku ndodheshin Ian dhe Heather – të afërm që ajo pretendonte se i donte – ajo nuk shfaqi asnjë ndjenjë empatie apo shqetësimi.

“Nuk më kujtohet nëse ajo i hodhi sytë fare drejt tyre”, thotë ai.

Pasi e la për një moment me infermierët që të bënin disa kontrolle bazë, Dr. Webster shkoi për të parë çiftin Wilkinson që po niseshin me ambulancë drejt spitalit të Dandenongut. Ai kujton me emocion momentin kur Heatheri e falënderoi sinqerisht ndërsa dyert e ambulancës po mbylleshin.

“Edhe tani më vjen vështirë ta flas pa u emocionuar”, thotë ai.

“Ajo mund të kishte ngritur zërin me mllef dhe të thoshte: ‘Nuk më ndihmove fare'… ndoshta kjo do ishte më e lehtë për t’u pranuar sesa mirënjohja e saj në ato momente”.

Megjithatë, nuk pati shumë kohë për ta përjetuar emocionalisht këtë ndodhi. Kur u kthye në dhomën ku ndodhej Erin, ajo kishte dalë nga spitali pa njoftuar dhe kundër këshillës së mjekëve.

I tronditur dhe i shqetësuar, ai tentoi ta kontaktonte me telefonin e saj celular, por më kot. Atëherë vendosi të njoftonte policinë.

“Po flisni me  Dr. Chris Webster nga Spitali i Leongathas. Kam shqetësim për një paciente që ishte këtu më parë, por është larguar nga godina dhe mund të jetë e ekspozuar ndaj një toksine fatale nga helmimi me kërpudha”, dëgjohet të thotë ai në një telefonatë që u luajt gjatë gjyqit.

Ai ia dha policisë emrin dhe adresën e saj.

“Ajo thjesht u largua?” pyesin ata.

“Ishte këtu vetëm pesë minuta më parë”,  përgjigjet Dr. Webster.

Gjatë gjyqit, Erin ka thënë se ishte befasuar nga informacioni dhe kishte shkuar në shtëpi për të ushqyer kafshët dhe për të bërë gati një çantë, madje për të pushuar pak.

“Pas një paralajmërimi nga mjekët se mund të kesh konsumuar një kërpudhë helmuese të rrezikshme për jetën, a është kjo gjëja e fundit që do të bëje?” e pyeti prokurori në sallën e gjyqit.

“Do të ishte ndoshta për dikë tjetër, por kjo është ajo që bëra unë”, u përgjigj Erin nga vendi i dëshmisë.

Por përpara se policia të mbërrinte në shtëpinë e saj, Erin ishte kthyer vetë në spital. Dr. Webster tentoi atëherë ta bindte që t’i edhe sillte fëmijët e saj – pasi ajo pretendonte se ata kishin ngrënë mbetjet e ushqimit.

“Ajo ishte e shqetësuar se fëmijët do trembeshin”, dëshmoi mjeku në gjyq.

“I thashë se ata mund të frikësohen dhe të shpëtojnë, ose të vdesin”.

Erin i tha jurisë se nuk ishte hezituese, por ishte ndjerë e mbingarkuar nga mjeku që, sipas saj, po i bërtiste. “Më vonë mësova që ishte zëri i tij i brendshëm”, shtoi ajo me ironi.

Dr. Webster përfundoi turnin e tij pak më vonë, por gjykata dëgjoi se analizat mjekësore të kryera mbi Erinin dhe fëmijët e saj nuk treguan asnjë shenjë të pranisë së helmit vdekjeprurës të kërpudhave të njohura si “death cap” -kërpudha helmuese  të njohura për efektin fatal. Pas një qëndrimi paraprak prej 24 orësh në spital, si masë paraprake sigurie, ata u lanë të lirë për të shkuar në shtëpi.

Vendimi fajësues – “lehtësim i thellë”

Dy vjet më vonë, kur lajmi për vendimin e jurisë u shfaq edhe në telefonin e tij të hënën, Dr. Chris Webster filloi të dridhej. Emocionet ishin të forta dhe të papritura. Ai kishte qenë një nga dëshmitarët kyç të prokurorisë dhe e kishte përjetuar rëndesën e madhe të përgjegjësisë gjatë gjithë procesit gjyqësor.

“Nëse fotografia e ngjarjes do të kishte kuptim për jurinë, çdo pjesëz e vogël e mozaikut – nëse do të dilte jashtë vendit – mund të rrezikonte gjithë rezultatin e gjyqit”, tha ai me ndjeshmëri të thellë.

“Nuk doja me asnjë kusht që të thyhesha nga presioni dhe vështrimi kritik i gjykatës”.

Tani, me vendimin fajësues që ishte shpallur dhe përgjegjësia e Erin Patterson që ishte vendosur qartë, Dr. Webster përjetoi një ndjenjë të thellë çlirimi, një lloj lehtësimi shpirtëror pas gjithë ngarkesës emocionale që kishte bartur. Ai e përshkroi këtë moment si “shpërblimin e drejtësisë”, një ndjenjë që mbush shpirtin pasi ndihmon në vendosjen e së vërtetës përballë një krimi të pashpirt.

Për të, Erin përfaqëson “përkufizimin e së keqes”, një njeri që, sipas tij, kishte kryer diçka që as nuk duhet të shkojë nëpër mend, dhe e kishte bërë me një qetësi të frikshme.

Por, megjithëse vendimi i gjykatës ishte një çlirim, ajo që përbënte mbylljen më të madhe emocionale për të ishte momenti kur ai pa për herë të parë përsëri Ian Wilkinsonin – pacientin e vetëm që mbijetoi nga tragjedia.

“Ishte një moment jashtëzakonisht i fuqishëm emocional për mua. Ajo kujtesë e dhimbshme, kur pashë Heatherin duke u larguar me ambulancë, pa e ditur nëse do të mbijetonte – tashmë është përmbyllur nga pamja e Ianit që qëndronte më këmbë, i gjallë dhe i fortë”.

“Ai moment më solli një ndjenjë ngushëllimi”, tha ai.