Kina ka një aparat shumë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës, që sipas disa vlerësimeve përfshin deri në gjysmë milioni punonjës brenda dhe jashtë vendit. Kjo i jep mundës Kinës të ndjekë operacione dhe aktivitete të inteligjencës në një shkallë shumë më të gjerë sesa shumica e vendeve të tjera
Është një pyetje me të cilën qeveritë e njëpasnjëshme në Mbretëri të Bashkuar janë përballur: çfarë lloj kërcënimi përbën vërtet Kina për vendin?
Përpjekja për t'iu përgjigjur pyetjes mund të ketë kontribuar në rrëzimin e çështjes, në të cilën dy burra britanikë, Christopher Cash dhe Christopher Berry, u akuzuan për spiunazh për Kinën dhe u paditën sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare.
Të dy mohojnë shkeljet, por kur akuzat u rrëzuan muajin e kaluar, kjo shkaktoi protesta politike.
Prokurorët dhe zyrtarët që atëherë kanë ofruar rrëfime kontradiktore nëse një dështim ose mungesë vullneti për ta etiketuar Kinën si një kërcënim aktiv për sigurinë kombëtare çoi në tërheqjen e akuzave. Dhe së fundmi, Lord Hermer, prokurori i përgjithshëm, fajësoi legjislacionin “e vjetruar” për rrëzimin e çështjes.
Por e gjithë kjo ngre pyetjen se si duket saktësisht spiunazhi kinez në botën moderne.
Kina spiunon brenda kornizës tradicionale të mënyrave të vjetra të spiunazhit njerëzor, të lidhura me Luftën e Ftohtë, me spiunë që punojnë nën mbulesën e të qenit diplomatë dhe rekrutojnë njerëz për të kaluar sekrete.
Deklarata e dëshmisë nga një zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare për prokurorët që hetonin çështjen tani të rrëzuar të Cash dhe Berry përshkruan këtë lloj pune.
“Shërbimet e inteligjencës kineze janë të interesuara të marrin informacion nga një numër burimesh, duke përfshirë politikëbërësit, stafin qeveritar dhe institucionet demokratike dhe janë në gjendje të veprojnë në mënyrë oportuniste për të mbledhur të gjithë informacionin që munden”.
Megjithatë, çdo vend bën këtë lloj spiunazhi. Dëshira për të pasur informacion mbi atë që bëjnë vendet e tjera është po aq e vjetër sa malet. Mbretëria e Bashkuar kryen këtë lloj spiunazhi kundër Kinës (siç është ankuar publikisht vetë Kina). Kur vendet kapen, normalisht ka një debat publik, por secila palë e di se është punë normale.
Por kjo vështirë se mbulon sjelljen kineze që i shqetëson zyrtarët e sigurisë.
“Mundohuni të mos mendoni shumë vetëm për sa u përket spiunëve klasikë me kartë identiteti të bazuar në ambasadë në modelin John le Carre”, ka thënë kreu i Agjencisë së Inteligjencës Britanike (MI5), Sir Ken McCallum, gjatë një informimi mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare në fillim të muajit tetor.
Ajo që e dallon vërtet Kinën dhe ajo që qëndron në zemër të problemit është se kërcënimet e sigurisë kombëtare që paraqet Kina shkojnë përtej nocioneve tradicionale të spiunazhit.
Për ta komplikuar edhe më tej çështjen, disa nga kërcënimet janë gjithashtu të lidhura ngushtë me arsyet pse shumë besojnë se duhet angazhuar me Kinën.
Fuqia ekonomike e Kinës, për shembull, paraqet shumë përfitime të mundshme për një Britani të Madhe që dëshiron me dëshpërim rritje.
Partia Laburiste raportohet se po kërkon të përmirësojë lidhjet me Kinën. Megjithatë, sigurimi i përfitimeve nga një marrëdhënie, ndërkohë që përballon rreziqet e lidhura me të, është detyra e vështirë që ka shqetësuar qeveritë.
Shqetësime në rritje për ndikimin politik
Kina ka një aparat shumë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës, që sipas disa vlerësimeve përfshin deri në gjysmë milioni punonjës brenda dhe jashtë vendit. Kjo i jep mundës Kinës të ndjekë operacione dhe aktivitete të inteligjencës në një shkallë shumë më të gjerë sesa shumica e vendeve të tjera.
Çdo vend i përdor shërbimet e tij të inteligjencës ndryshe. Mënyra se si e bën këtë hedh dritë mbi prioritetet e shtetit, dhe në Kinë përparësia kryesore është sigurimi i sundimit të vazhdueshëm të Partisë Komuniste.
Në praktikë, kjo ka nënkuptuar ndikimin në debatin politik jashtë vendit, ndjekjen e disidentëve, mbledhjen e të dhënave në një shkallë të gjerë dhe sigurimin e rritjes ekonomike në vend.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shqetësimet për ndikimin politik kinez kanë qenë në rritje.
MI5 lëshoi një “alarm ndërhyrjeje” në janar 2022 në lidhje me aktivitetet e një agjenteje të dyshuar kineze, Christine Lee, e cila besohej se ishte infiltruar në Parlament.
Mirëpo Lee i mohoi akuzat. Më vonë ajo ndërmori veprime ligjore të pasuksesshme kundër MI5 dhe i tha një gjykate se alarmi për lidhje të saj me agjenci të spiunazhit kishte një “qëllim politik”.
MI5 ka paralajmëruar gjithashtu se Pekini po përgatiste politikanë vendas në fazat e hershme të karrierës së tyre me shpresën për t’i vendosur ata në pozicione më të larta - një shenjë e një strategjie afatgjatë për të krijuar ndikim.
Këtu, qëllimi nuk ishte aq shumë vjedhja e sekreteve ose fitimi i informacionit, sa manipulimi i debatit politik - të kesh njerëz në pozicione me ndikim që do të kenë një pikëpamje pro-Kinë për çështjet dhe botën.
Një fushë tjetër që shqetëson zyrtarët e sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar është prirja e Kinës për spiunazh ndaj disidentëve, diçka që ka qenë një objektiv kryesor për inteligjencën kineze për vite me radhë, me fokus në grupe si aktivistët tibetianë.
Por mbërritja në Mbretërinë e Bashkuar e shumë aktivistëve të rinj pro-demokraci nga Hong-Kongu, pas masave të ashpra të Pekinit, ka rritur shqetësimet.
Sipas MI5, policia e Hong-Kongut ka paralajmëruar shpërblime për ata që japin informacione për dhjetëra aktivistë pro-demokraci në Mbretërinë e Bashkuar.
Pekini gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat për spiunazh, duke iu referuar si përpjekje për të “njollosur” Kinën.
“Kina nuk ndërhyn kurrë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe gjithmonë vepron në mënyrë të hapur dhe të ndershme”, ka thënë më parë ambasada kineze në Londër.
“Zhvillimi i Kinës është një mundësi për botën, jo një kërcënim për asnjë vend. Ne kundërshtojmë fuqimisht përpjekjet për të njollosur Kinën duke përhapur akuza të pabaza për ‘aktivitete spiunazhi, ose duke sajuar të ashtuquajturin ‘kërcënim kinez’”.
Mst: Spiunazhi kibernetik i sofistikuar
Megjithatë, Kina është lidhur me disa operacione kibernetike në shkallë të gjerë. Disa nga këto përfshihen në nocionet moderne të spiunazhit - vjedhja e sekreteve.
Vitin e kaluar Pekini u akuzua se po përpiqej të hakonte emailet e deputetëve.
“Kina përfaqëson një kërcënim ekonomik për sigurinë tonë dhe një sfidë përcaktuese të epokës”, ka thënë në atë kohë Rishi Sunak, kryeministri i atëhershëm, ndërsa shmangte etiketimin zyrtar të Pekinit si një “kërcënim”.
Pastaj, në gusht, Mbretëria e Bashkuar më në fund zbuloi atë që shumë dyshonin - se ishte goditur si pjesë e një fushate shumë të sofistikuar spiunazhi të koduar me emrin “Salt Typhoon”, e cila kompromentoi kompanitë e telekomunikacionit në të gjithë botën.
Mbretëria e Bashkuar heshtte rreth asaj se kush saktësisht u godit.
SHBA-ja kishte folur muaj më parë, dhe atje është raportuar se politikanëve të lartë, përfshirë Donald Trump dhe JD Vance, u ishin vënë komunikimet në shënjestër gjatë zgjedhjeve të vitit 2024.
Një oreks “alarmues” për të dhëna
Tani, në Mbretërinë e Bashkuar, planet për një Ambasadë të re kineze në ish-ndërtesën Royal Mint në Londër kanë tërhequr vëmendjen për shkak të frikës se mund të ofrojë mundësinë për spiunazh duke përgjuar kabllot e të dhënave që kalojnë nën tokë poshtë saj.
Por disa zyrtarë të sigurisë i minimizojnë këto rreziqe - jo vetëm sepse këto kabllo mund të mbrohen dhe monitorohen fizikisht, por edhe për shkak të kapacitetit të Pekinit për spiunazh të madh kibernetik.
Realiteti është se Pekini ka treguar se është plotësisht i aftë të mbledhë të dhëna përmes qasjes kibernetike në distancë.
Megjithatë, ky lloj shënjestrimi ende përfshihet gjerësisht në spiunazhin tradicional shtet-mbi-shtet.
Në fakt, ishin zbulimet rreth shkallës së përgjimit digjital të Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së nga ish-kontraktori Edward Snowden që mund ta kenë nxitur Kinën të bëhet më ambicioze në hapësirën kibernetike.
Ajo që është e dukshme në lidhje me aktivitetin e inteligjencës kineze në internet është një oreks për të dhëna në një shkallë masive. Ndjekja e Pekinit për ato që shpesh quhen të dhëna masive, si: informacione financiare, personale, shëndetësore ose lloje të tjera informacioni - është ajo që alarmon zyrtarët perëndimorë të sigurisë.
Disa nga këto të dhëna vidhen, por ndonjëherë dyshohet se janë fituar përmes kompanive kineze me qasje në tregun perëndimor.
Ekziston një element që është më i ndërlikuar për zyrtarët e sigurisë kombëtare për t’u marrë me të kur bëhet fjalë për Kinën: si të balancojnë rreziqet dhe përfitimet nga fuqia ekonomike në rritje të Kinës.
Një përparësi për shtetin kinez dhe spiunët e tij është rritja ekonomike.
Vëzhguesit shpesh tregojnë një lloj marrëveshjeje të pathënë: publiku kinez do të tolerojë mungesën relative të lirisë politike dhe vazhdimin e sundimit njëpartiak për sa kohë që shteti ofron përfitime ekonomike.
Kjo është një arsye pse Kina ka qenë gjithashtu aktive për dekada në ndjekjen e sekreteve ekonomike, si dhe atyre politike dhe diplomatike, në një mënyrë që vendet perëndimore nuk e kanë bërë.
Ndonjëherë këto kanë qenë sekrete biznesi të kompanive - qofshin dizajne për produkte të reja apo pozicione negociuese.
“Në një botë ku ‘ADN’-ja e fuqisë ushtarake dhe ekonomike është ndërtuar mbi njëshat dhe zero (të informacionit digjital), kur prona intelektuale thelbësore dhe njohuritë e procesit rrjedhin, industri të tëra mund të përmbysen - dhe bashkë me to të zhvendosin vende pune, kapital dhe ndikim gjeopolitik”, thotë Andrew Badger, një ish-zyrtar i inteligjencës amerikane dhe bashkautor i një libri që do të botohet së shpejti me titullin “Vjedhja e madhe: Fushata epike e Kinës për të vjedhur sekretet e Amerikës”.
Ndërsa fuqia ekonomike e Kinës rritet, veçanërisht në teknologjinë e përparuar, një nga rreziqet më të vështira për t’u matur është varësia e Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve të tjera perëndimore nga Kina në fusha kritike, duke përfshirë automjetet elektrike dhe mineralet kritike të përdorura në prodhim.
Kjo mbështeti debatin rreth kompanisë kineze të telekomunikacionit “Huawei”, që ndërtoi një pjesë të madhe të infrastrukturës së re telefonike 5G të vendit.
Pajisjet kineze ishin më të lira dhe shpesh shiheshin si më të mira se ato të konkurrentëve - por a kishte rreziqe?
Kishte më pak të bënte me përdorimin e tyre për të spiunuar dhe më shumë me faktin se një marrëdhënie varësie nga një vend tjetër për teknologjinë nga e cila varet jeta e përditshme, hap rrugën për ndikim dhe madje edhe për shtrëngim. Nëse bëni diçka ose thoni diçka që Pekinit nuk i pëlqen, ai mund t'jua ndërpresë furnizimet?
Pra, a ka rëndësi nëse Kina ndërton reaktorë të rinj bërthamorë? Apo bëhet furnizuesi kryesor i teknologjisë së gjelbër? Po sikur njerëzit të varen nga platforma e mediave sociale me origjinë kineze, TikTok, për lajmet dhe informacionin e tyre?
Kjo është fusha ku tensioni me agjendën e rritjes ekonomike bëhet më i qartë. Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, një treg i rëndësishëm eksporti dhe burim investimesh. Nëse synohet përfitimi nga kjo marrëdhënie, atëherë bëhet shumë më e vështirë të përjashtohen kompanitë kineze nga tregu i Mbretërisë së Bashkuar.
Sfida tjetër për Britaninë është se, në shumë nga këto fusha ku përzihen siguria ekonomike dhe ajo kombëtare, SHBA-ja po mban një qëndrim më të ashpër.
Kjo e lë Londrën të zënë midis presionit nga Pekini dhe Uashingtoni dhe përpjekjes për të gjetur një mënyrë për t’i adresuar këto kërcënime, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie produktive.
Asgjë nga këto nuk është e lehtë, dhe nuk ka shumë të bëjë me spiunazhin tradicional. Në këtë botë të re, kërcënimet janë shumë më të gjera dhe më komplekse.