Botë

Si djali 18-vjeçar i Trumpit e ndihmoi babanë t’i fitonte votat e të rinjve

Barron Trump

Prej ditësh po analizohen arsyet kryesore që çuan në fitoren bindëse të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Barron, djali 18-vjeçar i presidentit të zgjedhur, ka kontribuar ndjeshëm në këtë rezultat, shkruan “The Telegraph”.

Barron ndihmoi babanë të lidhej me të rinjtë në internet që organizojnë podcaste, ndjekin artet marciale, janë të çmendur pas video-lojërave dhe investojnë në kriptovaluta.

Përveç se është më i gjati nga fëmijët e Trumpit, 18-vjeçari gjithashtu i dha disa këshilla të vlefshme babait të tij.  

Barroni shtyu Trumpin të futet në terrenin e panjohur të podcasteve dhe transmetimeve në internet, një hapësirë që dominohet nga të rinjtë, veçanërisht ata të gjinisë mashkullore, që janë të fiksuar pas sporteve, rrahjeve, shakave, video-lojërave e kriptovalutave.

Është një botë e injoruar nga Amerika e klasës së mesme, duke përfshirë shumicën e mediave kryesore.

Gjëja më e rëndësishme, megjithatë, është se ky mjedis është i popullarizuar në mesin e djemve të rinj - nga 18 deri në 34 vjeç, është grup demografik me potencial të madh elektoral për republikanët.

Sipas profesorit të shkencave politike, Jeff Gulati, këta janë shpesh të rinj të paangazhuar politikisht, “të prirë të mbështesin Trumpin, por kanë më pak gjasa të votojnë”.

Barroni e këshilloi Trumpin që ta niste me personazhin e quajtur Adin Ross.

Ross është provokator, i cili ka fituar popullaritet masiv në internet për bashkëpunimet me të famshëm dhe transmetimin e drejtpërdrejtë të video-lojërave të tilla si “Grand Theft Auto”.

Ai është përjashtuar nga platforma Twitch të paktën tetë herë për shkelje të ndryshme, duke përfshirë gjoja lejimin e komenteve homofobike në faqe dhe qasjen në një uebsajt pornografik gjatë transmetimit.

Por me rreth 7.2 milionë ndjekës, kjo vetëm sa e rriti viralitetin e tij.

Në gusht, Trumpi e ftoi Rossin në dhomën e ndenjes në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, një privilegj i rrallë, dhe ata regjistruan një podcast që regjistroi sukses të madh - është parë më shumë se 2.6 milionë herë vetëm në YouTube.

Trumpi më vonë mbajti podcast edhe me kontroversin Logan Paul. Madje i dhuroi një bluzë me foton pas tentativës për vrasje dhe me sloganin “Jo dorëzim”. Ishte gjithashtu i ftuar edhe me yllin e njohur të podcasteve, Joe Rogan, si dhe lojtarin e futbollit amerikan Will Compton.

Përveç kësaj, Trumpi pati minuta edhe në kanalin e njohur në YouTube, NELK.

Të gjithë këta personalitete dhe kanale ndajnë karakteristika të rëndësishme: janë joformalë, mashkullorë, joseriozë, të papjekur dhe, më e rëndësishmja, adhurojnë Trumpin dhe gjithçka që ai përfaqëson.

45 milionë njerëz ndoqën podcastin tre-orësh të Roganit me Trumpin. 

Pamje nga podcasti i Roganit me Trumpin


Gjatë podcastit, tani presidenti i zgjedhur nuk dukej si Trumpi i vjetër: mburrës, hiperbolik dhe rastësor kur bëhet fjalë për të vërtetën. Ai ishte djallëzor, mendjemprehtë, ndonjëherë bujar.

Edhe politikani britanik Nigel Farage nuk dyshoi në rëndësinë e rolit të Barronit.

“Barron Trump është një 18-vjeçar shumë i zgjuar, i cili luajti rol të madh në fitoren mahnitëse të babait të tij”, ka shkruar Farage në “X”.

Kjo u vërtetua edhe nga statistikat nga zgjedhjet e sapopërfunduara: votuesit e rinj tradicionalisht anojnë nga demokratët, por Kamala Harris regjistroi vetëm 11 për qind të votave të të rinjve të moshës 18 deri në 29 vjeç, që është rënie e madhe në krahasim Joe Biden (24 për qind) dhe Hillary Clintonin (19).