Në Francë, cigaret nuk kanë qenë kurrë thjesht cigare – ato ishin deklarata kinematografike, flirte dhe rebelime të mbështjella në letër.
Brigitte Bardot qëndroi zbathur në një plazh të Saint-Tropez duke pirë cigaren ngadalë. Një tjetër aktor, Jean-Paul Belmondo, ecte me mburrje në Champs-Elysees me tymin që i dilte nga buzët, duke shfaqur kështu rebelimin e asaj gjenerate, shkroi AP.
Megjithatë, duke filluar nga 1 qershori, nëse skenat ikonike të filmit të Bardotit e Belmondos përsëriten në jetën reale, ato do të përballen me gjoba deri 135 euro.
Pas popullaritetit të duhanit për dekada, Franca po përgatitet për ndalim të gjerë të pirjes së duhanit. Kufizimet e reja nga Ministria e Shëndetësisë do ta ndalojnë pirjen e duhanit në pothuajse të gjitha zonat publike të hapura ku mund të ketë fëmijë, përfshirë plazhet, parqet, këndet e lojërave, mjediset sportive, hyrjet e shkollave dhe stacionet e autobusëve.
“Duhani duhet të zhduket aty ku ka fëmijë”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin.
Nëse ligji i Vautrinit pasqyron prioritetet e shëndetit publik, ai sinjalizon po ashtu një ndryshim të thellë kulturor. Pirja e duhanit ka përcaktuar identitetin, modën dhe kinemanë në Francë për aq kohë sa masat e reja shihen si një revolucion i qetë francez në një shtet ku lidhja me duhanin është e famshme.
Sipas Lidhjes franceze Kundër Kancerit, mbi 90% e filmave francezë nga viti 2015 deri më 2019 shfaqën skena me cigare – mbi dyfishin i shkallës në prodhimin e Hollywoodit.
Kinemaja ka pasur veçanërisht ndikim. Belmondo në rolin që pati në filmin “Breathless” e ku e mori namin si duhanpirësi rebel, u bë simbol për rininë në tërë botën.
Kjo gjithëpërfshirje ka pasoja. Sipas autoriteteve të shëndetit publik në Francë, rreth 70 mijë njerëz vdesin nga sëmundje të lidhura me duhanin çdo vit. Edhe pse shkalla e duhanpirjes ka rënë së fundmi – më pak se 25% e të rriturve francezë pinë duhan përditë – zakoni mbetet i vulosur, posaçërisht në mesin e të rinjve.