Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Gjermani pritet të shënojë fitore teksa votuesit në rajonin më të populluar të vendit u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet lokale, të cilat shihen si testi i parë i rëndësishëm zgjedhor për Friedrich Merz që kur ai mori detyrën si kancelar, katër muaj më parë.
North Rhein-Westphalia, ku jetojnë pothuajse një e katërta e qytetarëve të Gjermanisë dhe përbëhet nga sipërfaqe të mëdha toke bujqësore, qytete dhe qyteza post-industriale me popullsi të madhe multietnike dhe studentore, shihet si një lloj treguesi për vendin në tërësi, raporton The Guardian.
Sipas sondazheve përfundimtare të opinionit, Bashkimi Demokratik Kristian i Merz është në rrugën e duhur për të ruajtur pozicionin e tij dominues në shtet, me rreth 35% të votave.
Partia populiste e ekstremit të djathtë AfD ka qenë në sondazhe me rreth 16%, rreth tre herë më shumë se performanca e saj në zgjedhjet e fundit lokale të shtetit pesë vjet më parë.
Vëmendja në të gjithë vendin mbi votimin do të përqendrohet veçanërisht në faktin nëse AfD-ja mund të arrijë përparimet e mëdha që ka shënuar në shtetet e ish-lindjes komuniste.
Votimi po zhvillohet në sfondin e një ekonomie gjermane të dobësuar, papunësisë në rritje dhe shqetësimit në rritje për imigracionin që është çështja kryesore e AfD-së.
Merzi është zotuar të rikthejë ekonominë në rrugën e duhur, të zvogëlojë imigracionin dhe të reduktojë të djathtën ekstreme.
Që nga zgjedhjet federale të shkurtit, AfD-ja ka dalë në krye në disa sondazhe kombëtare të opinionit.
Partia Socialdemokrate, një partnere e vogël në qeverinë e koalicionit, po përballet me një betejë të ashpër për mbijetesë politike në disa zona - në veçanti, ish-rajonet e minierave të qymyrit ku dikur ishte e sigurt për fitoren.
Sa më shumë sukses të arrijë AfD-ja, duke siguruar kryetarë bashkie dhe poste këshilltarësh, aq më e vështirë do të jetë për partitë kryesore të mbajnë premtimin e tyre për të ruajtur një "mur mbrojtës" që parandalon bashkëpunimin politik me AfD-në në nivel federal, thonë ekspertët.