Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shpërthimi i HIV-it te fëmijët si pasojë e ripërdorimit të shiringave nga mjekët në Pakistan

HIV - Pakistan

Një shpërthim alarmant i HIV-it te fëmijët në Pakistan ka ngritur dyshime serioze mbi sigurinë e trajtimit në spitalet publike. Një hulumtim i BBC-së zbuloi se praktika të rrezikshme si ripërdorimi i shiringave mund të kenë çuar në infektimin e qindra fëmijëve me HIV. Historia e dhimbshme e një familjeje nxjerr në pah pasojat e rënda njerëzore që vijnë si rezultat i këtyre dështimeve në sistemin shëndetësor.

Mohammed Amin ishte vetëm tetë vjeç kur vdiq, pak kohë pasi rezultoi pozitiv me HIV.
Ethet i kishte aq të forta, saqë këmbëngulte të flinte jashtë, në shi, dhe përpëlitej nga dhimbjet “sikur të ishte hedhur në vaj të nxehtë”, tregon nëna e tij Sughra.

“Grindej me mua, por edhe më donte shumë”, thotë Asma 10-vjeçare, teksa gjunjëzohet pranë varrit të vëllait të saj më të vogël.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Jo shumë kohë pasi Mohammed u infektua, edhe Asma u diagnostikua me HIV. Familja beson se të dy fëmijët e morën virusin nga injeksione me gjilpëra të kontaminuara gjatë trajtimit rutinë në një spital shtetëror në Taunsa, në provincën Punjab të Pakistanit.

Ata janë vetëm dy nga 331 fëmijët që një hulumtim i BBC Eye ka identifikuar si të infektuar me HIV në këtë qytet, midis nëntorit 2024 dhe tetorit 2025.

Pasi një mjek në një klinikë private e lidhi shpërthimin e rasteve me spitalin THQ Taunsa në fund të vitit 2024, autoritetet lokale premtuan masa të rrepta dhe pezulluan drejtorin e spitalit në mars 2025. Por hulumtimi i BBC Eye zbulon se praktikat e rrezikshme me injeksione vazhduan edhe muaj më vonë.

Gjatë 32 orëve filmim të fshehtë në fund të vitit 2025 u pa se shiringat po ripërdoreshin në shishe ilaçesh me shumë doza në të paktën 10 raste, duke rrezikuar kontaminimin e tyre.
Në katër raste, i njëjti ilaç nga e njëjta shishe iu dha fëmijëve të ndryshëm. Nuk dihet nëse ndonjë prej tyre ishte HIV pozitiv, por kjo praktikë krijon rrezik të qartë për përhapjen e virusit.

“Edhe nëse vendoset një gjilpërë e re, pjesa e pasme e shiringës mbetet e kontaminuar dhe mund të transmetojë virusin”, shpjegoi një ekspert i sëmundjeve infektive pasi pa pamjet.

Megjithëse në muret e spitalit kishte udhëzime për përdorim të sigurt të injeksioneve, stafi - përfshirë edhe një mjek, u filmua 66 herë duke dhënë injeksione pa dorëza sterile.
Gjithashtu, një infermiere u pa duke kërkuar në një kuti mbetjesh mjekësore pa mbrojtje, duke shkelur rregullat bazë të higjienës.

Megjithatë, drejtori i ri i spitalit, Qasim Buzdar, refuzoi të pranonte autenticitetin e pamjeve, duke sugjeruar se ato mund të jenë të vjetra ose të manipuluara, dhe këmbënguli se spitali ishte i sigurt për fëmijët.

Mjeku Gul Qaisrani nga një klinikë private ishte i pari që vuri re shpërthimin në fund të vitit 2024, pasi pa rritje të numrit të fëmijëve që rezultonin pozitivë me HIV.
Sipas tij, shumica e 65-70 rasteve që diagnostikoi kishin marrë trajtim në spitalin THQ Taunsa.

Ai kujton se një nënë i tregoi se vajza e saj ishte injektuar me të njëjtën shiringë si një kushëri me HIV, dhe më pas ajo shiringë u përdor edhe për fëmijë të tjerë. Një prind tjetër kishte kundërshtuar këtë praktikë, por ishte injoruar nga stafi.

Praktikat e rrezikshme

Duke analizuar të dhëna nga programi i testimit të AIDS-it në Punjab, klinika private dhe një databazë e rrjedhur nga policia, BBC Eye identifikoi 331 fëmijë të infektuar me HIV në Taunsa gjatë periudhës nëntor 2024 – tetor 2025.

Nga një mostër prej 97 fëmijësh, vetëm katër nëna rezultuan pozitive, çka tregon se shumica e rasteve nuk erdhën nga transmetimi nga nëna te fëmija. Edhe nëna e Mohammedit dhe Asmës rezultoi negative.

Sipas të dhënave zyrtare, në më shumë se gjysmën e rasteve shkaku i infektimit ishte “gjilpëra e kontaminuar”, ndërsa për rastet e tjera nuk ishte specifikuar.

Qeveria e Punjab ndërhyri në mars 2025 kur numri i rasteve ishte 106, duke pezulluar drejtorin e spitalit. Por brenda tre muajve ai ishte rikthyer në punë me fëmijë në një qendër tjetër shëndetësore.

Drejtori i ri deklaroi se kishte vendosur “zero tolerancë” ndaj praktikave të pasigurta dhe kishte organizuar trajnime për stafin mbi kontrollin e infeksioneve.

Megjithatë, provat e mbledhura nga BBC Eye tregojnë se praktikat e rrezikshme vazhduan edhe tetë muaj më vonë.

Pamjet e BBC-së nga nëntori dhe dhjetori 2025, të filmuara gjatë disa javëve, treguan se shiringat dhe shishet e ilaçeve shpesh liheshin të hapura pranë gjilpërave të përdorura, mbi sipërfaqe që duhet të jenë sterile.

Shumica e fëmijëve që pa BBC duke u trajtuar në spitalin THQ Taunsa merrnin injeksione përmes një kanule (tub i vendosur në venë), gjë që e rrit edhe më shumë rrezikun e infeksionit. Duke hyrë drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut, ilaçi i kontaminuar mund të shmangë mbrojtjet natyrore të trupit.

BBC-ja filmoi gjithashtu një infermiere që nxori një shiringë të përdorur nga poshtë një banaku, ende me lëng brenda nga pacienti i mëparshëm. Në vend që ta hidhte, ajo ia dha kolegut të saj, duke lënë të kuptohet se do të përdorej përsëri te një fëmijë tjetër.

Kur ia treguam këto pamje drejtorit Buzdar, ai këmbënguli se ato ishin filmuar para se ai të merrte detyrën ose se mund të ishin të inskenuara.

I pyetur se çfarë do t’u thoshte prindërve që i shikonin këto pamje, ai u përgjigj: “Mund t’u them me siguri dhe besim që duhet të merrni trajtim në THQ Taunsa”.

Në një deklaratë, qeveria lokale tha se “nuk ka prova epidemiologjike të verifikuara” që e lidhin përfundimisht spitalin si burim të shpërthimit. Ajo shtoi se një mision i përbashkët midis UNICEF-it, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe departamentit rajonal të shëndetësisë “kishte theksuar rolin e shërbimeve private pa mbikëqyrje të duhur” dhe “kontributin e transfuzioneve të gjakut të pakontrolluara”.

Megjithatë, BBC Eye ka siguruar një raport të brendshëm të këtij misioni nga prilli 2025, i cili zbulon shumë nga të njëjtat probleme që u panë nga hulumtimi në THQ Taunsa.

“Kushtet ishin veçanërisht shqetësuese në dhomën e urgjencës pediatrike”, thuhet në raport - pikërisht një nga repartet që u filmua.

“Ilaçet thelbësore për fëmijë mungonin, dhe praktikat e pasigurta të injeksioneve ishin të zakonshme. Lëngjet intravenoze po ripërdoreshin, kanulat nuk kishin etiketa, dhe setet e përdorura të infuzioneve liheshin të varura. Higjiena e duarve neglizhohej - lavamanët ishin të bllokuar dhe nuk kishte dezinfektues”.

Një profesoreshë e mjekësisë pediatrike në një spital universitar në Karachi thotë se këto pamje tregojnë dobësi serioze në trajnimin për kontrollin e infeksioneve në Pakistan. “Duhet t’u themi atyre që japin injeksione: ‘Ju jeni bërë një mjet aktiv për përhapjen e sëmundjeve’”.

Hulumtimi sugjeron se këto praktika të pasigurta nxiten pjesërisht nga presione sistematike, përfshirë varësinë dhe preferencën kulturore për injeksionet si formë trajtimi.

Pakistani ka një nga normat më të larta në botë për përdorimin e injeksioneve mjekësore, shumë prej të cilave janë të panevojshme. Shumë njerëz i kërkojnë ato, madje edhe për fëmijët e tyre, dhe mjekët shpesh i japin pa hezitim. Ekspertët thonë se injeksionet duhet të përdoren vetëm për sëmundje të rënda, ndërsa për rastet e lehta duhet të përdoren ilaçe orale.

Mungesa e ilaçeve dhe pajisjeve gjithashtu ndikon në këto praktika të rrezikshme. Kërkesa e lartë për injeksione ushtron presion mbi burimet, të cilat shpërndahen në spitalet shtetërore sipas kuotave mujore. “Ata kanë një sasi të kufizuar furnizimesh dhe duhet t’i bëjnë të zgjasin për gjithë muajin”, shpjegon ekspertja. “Pyetja është: a e kuptojnë se kursimi bëhet i rrezikshëm?”

Gjatë filmimeve të BBC-së u zbulua se shpesh mungonin furnizimet bazë në reparte, dhe pacientëve që mund të përballonin blerjen e ilaçeve u kërkohej t’i sillnin vetë. “Na bëjnë të llogarisim çdo pikë ilaçi”, tha një infermiere.

Praktikat e dokumentuara në THQ Taunsa ngjajnë me shpërthime të mëparshme në pjesë të tjera të Pakistanit.

Ndikimi te fëmijët

Në vitin 2019, qindra fëmijë në qytetin Ratodero, në provincën Sindh, rezultuan pozitivë me HIV, shumica me prindër negativë. Një pediatër lokal tha se historitë mjekësore të tyre tregonin vizita të shpeshta në klinika dhe shumë injeksione, duke sugjeruar se infektimi kishte ndodhur në ambiente mjekësore. Deri në vitin 2021, numri i fëmijëve të infektuar arriti në 1.500 – dhe raste të reja vazhdojnë të shfaqen.

Ndërkohë që ekipi i BBC-së filmonte në Taunsa, një grup i ri rastesh u raportua në Karachi. Në zonën SITE Town, fëmijë që kishin marrë trajtim në një spital lokal shtetëror rezultuan më pas pozitivë me HIV.

Mes tyre ishte edhe Mikasha, një vajzë dyvjeçare.

Një anëtar i familjes tha se stafi i spitalit përdorte të njëjtën shiringë për disa fëmijë: “E mbushnin të njëjtën shiringë dhe ia jepnin një fëmije, pastaj e mbushnin përsëri dhe ia jepnin një tjetri”,  i treguan ata BBC Eye.

Drejtori i spitalit, Mumtaz Shaikh, deklaroi në një intervistë se “mjekët e kualifikuar nuk do t’i ripërdorin kurrë” shiringat, duke shtuar se “nuk ekziston një gjë e tillë në spitalet shtetërore”.

Megjithatë, ministri federal i Shëndetësisë ka konfirmuar publikisht se shpërthimi i 84 rasteve u shkaktua nga ripërdorimi i shiringave të kontaminuara në atë spital.

Kur BBC ia paraqiti gjetjet e hulumtimit qeverisë qendrore, një zëdhënës tha se ajo “ka vepruar me shpejtësi brenda kompetencave të saj për të hetuar shqetësimet dhe për të zbatuar masa për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve”, duke shtuar se udhëzimet përkatëse iu janë dërguar institucioneve shëndetësore në mars 2025.

Ndërkohë në Taunsa, familja e Asmës thotë se ajo po humbet peshë dhe tani përballet me një trajtim të përjetshëm për një virus ndaj të cilit nuk duhej të ishte ekspozuar kurrë.

Stigma që shoqëron HIV-in bën që fqinjët shpesh t’i ndalojnë fëmijët e tyre të luajnë me të, duke e lënë Asmën të izoluar përveçse të sëmurë, thotë familja. Ajo e pyet nënën e saj: “Çfarë kam unë?”

Duke qëndruar pranë varrit të vëllait, Asma thotë se i mungon shumë. “Ai tani është me Zotin”.

Ajo i tregon BBC Eye se mëson fort në shkollë. “Kur të rritem”,  thotë ajo, “dua të bëhem mjeke”.