Botë

Shpenzimet e SHBA-së për mbrojtjen gati në 1 trilion dollarë, Trumpi paralajmëron NATO-n

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpërndarë në “Truth Social” pak para samitit të NATO-s që nis të martën në Hagë, një grafikë ku paraqiten shpenzimet e anëtarëve të aleancës për mbrojtjen.

Sipas grafikës, SHBA-ja është gati të arrijë në 1 trilion dollarë shifrën e shpenzimeve.

Trumpi ka paralajmëruar se do ta diskutojë këtë me anëtarët e NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara janë gati te 1 trilion dollarë — Kjo është e pabesueshme! Do ta diskutojmë së shpejti me anëtarët e NATO-s”, ka shkruar Trumpi në rrjetin e tij social.

Grafika po ashtu tregon se Polonia është anëtari me përqindjen më të lartë të shpenzimeve për BPB të saj, për mbrojtje, duke arritur në 4,12%. 

Ndërkaq, shteti me përqindjen më të ulët është Spanja me 1.28%. 

E Shqipëria ndodhet te 2.03% shpenzime për mbrojtjen.

Udhëheqësit e NATO-s pritet të bien dakord këtë javë që vendet anëtare duhet të shpenzojnë 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtje, me përjashtim për shtetin spanjoll.

Spanja ka arritur një marrëveshje me NATO-n për t'u përjashtuar nga objektivi i shpenzimeve prej 5% të PBB-së, ndërsa presidenti Donald Trump ka thënë se shifra nuk duhet të zbatohet për Shtetet e Bashkuara, vetëm për aleatët e saj.