Shkurtimet e ndihmës amerikane kanë vënë në rrezik trajtimin e mijëra personave me HIV në Afrikën e Jugut. Historia e Gugut pasqyron sfidat me të cilat përballen pacientët pas mbylljes së klinikave të financuara nga USAID. Ndikimi prek jo vetëm jetën individuale, por edhe kërkimin shkencor. Progresi dekadash ndaj HIV-it është tani në rrezik serioz.
(BBC) - Gugu më parë i merrte ilaçet e saj kundër HIV-it (antiretroviralët) nga një klinikë në qendër të Johannesburgut, e financuar nga USAID (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar).
Por kur presidenti Trump njoftoi shkurtimet e ndihmës financiare këtë vit, ajo dhe mijëra pacientë të tjerë HIV-pozitivë në të gjithë Afrikën e Jugut papritur u përballën me një të ardhme të pasigurt.
Gugu pati fat: klinika ku ajo merrte ilaçet që ndihmojnë në shtypjen e simptomave të HIV-it e kontaktoi përpara se të mbyllej.
“Unë isha një nga njerëzit që arriti të marrë ilaçet në sasi të mëdha. Zakonisht i marr për tre muaj, por para se të mbyllej klinika, më dhanë një sasi për nëntë muaj”, – thotë ajo.
Ilaçet antiretrovirale (ARV) do t’i mbarojnë në shtator dhe ajo planifikon të shkojë në spitalin publik më të afërt për të marrë të tjera.
Ish-punëtore seksi, Gugu, që tani është 54 vjeçe, mësoi se ishte HIV-pozitive pasi ishte larguar nga industria e seksit.
Dhjetë vjet më parë filloi të kishte një kollë të rëndë dhe fillimisht mendoi se ishte tuberkuloz.
Shkoi te një mjek që i tha se kishte një infeksion në gjoks dhe e trajtoi për këtë.
Por kur trajtimi nuk dha efekt, ajo shkoi në një klinikë për të bërë testin e HIV-it.
“Deri atëherë e kisha të qartë se isha HIV-pozitive dhe ia thashë këtë infermieres” – tregon Gugu.
Doli që kishte të drejtë dhe që prej asaj kohe ka qenë vazhdimisht në trajtim me antiretroviralë.
Nuk po përdoret emri i saj i vërtetë sipas kërkesës së saj.
Aktualisht, Gugu punon si koordinatore projekti për një organizatë joqeveritare (OJQ).
“Ne ndihmojmë punëtoret e seksit që janë shtatzënë të marrin antiretroviralët, për të siguruar që fëmijët e tyre të lindin HIV-negativë. Gjithashtu, bëjmë vizita në shtëpi për t’u siguruar që nënat i marrin ilaçet me rregull dhe kujdesemi për foshnjat kur ato shkojnë për kontrollet mujore”.
Shumë punëtore seksi që janë HIV-pozitive në Afrikën e Jugut vareshin nga klinikat private të financuara nga USAID-i, agjencia tashmë e mbyllur e ndihmës së qeverisë amerikane.
Por shumica e këtyre qendrave u mbyllën pasi presidenti amerikan, Donald Trump ndërpreu pjesën më të madhe të ndihmës së huaj më herët gjatë këtij viti.
Gugu beson se shumë punëtore seksi mund të demoralizohen dhe të ndalojnë së shkuari në spitalet publike për të marrë antiretroviralët (ARV), nëse nuk kanë më qasje në klinikat ku i merrnin më parë.
“Problemi me spitalet publike është faktori kohë. Për të marrë shërbim në këto institucione, duhet të shkosh që në orën 4 ose 5 të mëngjesit, dhe ndonjëherë kalon gjithë ditën duke pritur për të marrë ilaçet. Për punëtoret e seksit, koha është ar”, thotë Gugu.
Ajo shton se së fundmi shkoi në spitalin lokal me disa shoqe për të regjistruar të dhënat e saj dhe për të ndërtuar një marrëdhënie me stafin.
“Infermierja që na priti ishte shumë e pasjellshme. Na tha se nuk ka asgjë të veçantë te punëtoret e seksit”.
Sipas saj, një trajtim i tillë mund të çojë në faktin që shumë prej tyre të ndërpresin marrjen e rregullt të ilaçeve, “sidomos sepse dosjet e tyre spitalore përmbajnë shumë informacion personal, dhe shqetësimi është se ndonjëherë infermieret në këto klinika lokale nuk janë gjithmonë të kujdesshme apo të ndjeshme në trajtimin e këtij lloj informacioni”.
Shkurtimet e financimit kërcënojnë trajtimin
Në një raport të publikuar, agjencia e Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për luftën kundër HIV/AIDS, nuk përmend drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, por thotë se shkurtimet drastike nga një sërë donatorësh kanë shkaktuar tronditje në mbarë botën dhe se “progresi fenomenal” në luftën kundër kësaj sëmundjeje rrezikon të zhbëhet.
“Infektimet e reja me HIV janë ulur me 40% që nga viti 2010 dhe 4.4 milionë fëmijë janë mbrojtur nga infektimi me HIV që nga viti 2000. Janë shpëtuar më shumë se 26 milionë jetë”, thotë UNAIDS, duke paralajmëruar se nëse bota nuk vepron, deri në vitin 2029 mund të ketë gjashtë milionë infeksione të reja me HIV dhe katër milionë vdekje të lidhura me AIDS-in.
UNAIDS thekson se përpara shkurtimit të fondeve, numri vjetor i infeksioneve të reja me HIV dhe i vdekjeve nga AIDS kishte rënë në nivelin më të ulët në më shumë se 30 vite.
Të gjitha të dhënat e përfshira në raport i përkasin periudhës para se Shtetet e Bashkuara dhe donatorë të tjerë të bënin shkurtimet e tyre këtë vit. Por raporti nënvizon se sa shumë progres mund të humbasë si pasojë e këtyre shkurtimeve.
Afrika Sub-Sahariane ka parë një rënie prej 56% të rasteve të reja me infeksion. Rajoni vazhdon të jetë epiqendra e epidemisë – gjysma e infeksioneve të reja vitin e kaluar ishin nga ky kontinent.
Megjithatë, katër shtete afrikane – Lesoto, Malawi, Ruanda dhe Zimbabve – janë në rrugën e duhur për të arritur një ulje prej 90% të infeksioneve të reja deri në vitin 2030, krahasuar me vitin 2010.
Një tjetër histori suksesi për Afrikën ka qenë performanca e antiretroviraleve, të cilat ndihmojnë në shtypjen e simptomave të HIV-it. Së bashku me përparime të tjera mjekësore në këtë fushë, ato ndihmuan në rritjen e jetëgjatësisë në Afrikën Sub-Sahariane nga 56 vjeç në vitin 2010 në 62 vjeç në vitin 2024.
Kthesa filloi kur presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George W. Bush, nisi një program ambicioz për të luftuar HIV/AIDS në vitin 2003, duke thënë se do t’i shërbente “interesave strategjike dhe morale” të SHBA-së.
I njohur si Plani i Emergjencës i Presidentit për Ndihmën ndaj AIDS-it (Pepfar), ai çoi në investimin prej më shumë se 100 miliardë dollarësh (74 miliardë paund) në përgjigjen globale ndaj HIV/AIDS - angazhimi më i madh nga çdo komb për të adresuar një sëmundje të vetme në botë.
Afrika e Jugut ka rreth 7.7 milionë njerëz që jetojnë me HIV, numri më i lartë në botë, sipas UNAIDS.
Rreth 5.9 milionë prej tyre marrin trajtim antiretroviral, duke rezultuar në një rënie prej 66% të vdekjeve të lidhura me AIDS-in që nga viti 2010, shton agjencia e OKB-së.
Qeveria e Afrikës së Jugut thotë se financimi i Pepfarit kontribuoi rreth 17% në programin e saj HIV/AIDS. Paratë u përdorën për projekte të ndryshme, duke përfshirë drejtimin e klinikave mobile për ta bërë më të lehtë për pacientët të marrin trajtim.
Shkurtimet e administratës Trump kanë ngritur shqetësimin se shkalla e infeksionit mund të rritet përsëri.
“Mendoj se do të fillojmë të shohim një rritje të numrit të infeksioneve me HIV, numrit të rasteve të tuberkulozit, numrit të sëmundjeve të tjera infektive”, i tha BBC-së prof. Lynn Morris, zëvendës-kancelare e Universitetit Wits të Johanesburgut.
“Dhe do të fillojmë të shohim një përmbysje të asaj që ishte në thelb një histori e vërtetë suksesi. Ne po i përballonim disa nga këto gjëra”.
Gugu thekson se trajtimi është çështje jete a vdekjeje, veçanërisht për popullatat e ndjeshme si punonjëset e seksit.
“Njerëzit nuk duan të heqin dorë nga ARV-të e tyre. Ata kanë frikë se do të vdesin nëse nuk kanë qasje në to.
Shkurtimet kanë ndikuar gjithashtu në kërkimin që synon gjetjen e një vaksine kundër HIV-it dhe një kure për AIDS-in.
“Ekziston ndikimi afatgjatë, i cili është se nuk do të marrim vaksina të reja për HIV-in”, shton prof. Morris.
“Nuk do të mbajmë nën kontroll viruset që qarkullojnë. Edhe me viruse të reja që mund të shfaqen, nuk do të kemi infrastrukturën e mbikëqyrjes që kishim dikur”.
Afrika e Jugut ka qenë një nga liderët globalë në kërkimin e HIV-it. Shumë nga ilaçet që ndihmojnë në parandalimin e virusit dhe që kanë përfituar njerëz në të gjithë botën, u testuan në Afrikën e Jugut.
Kjo përfshin Prep (profilaksinë para-ekspozimit), një ilaç që i ndalon njerëzit HIV-negativë të kapin virusin.
Zbulimi i kurës
Një tjetër ilaç parandalues i përparuar i lëshuar këtë vit, Lenacapavir, një injeksion që merret dy herë në vit dhe që ofron mbrojtje të plotë nga HIV, u testua gjithashtu në Afrikën e Jugut.
Në një laborator në kampusin e Shkencave të Shëndetit të Universitetit Wits, një grup i vogël shkencëtarësh ende po punon për një vaksinë për HIV-in.
Ata janë pjesë e Brilliant Consortium, një grup laboratorësh që punojnë në tetë vende afrikane për të zhvilluar një vaksinë për virusin.
“Ne po zhvillonim një test vaksine për të parë se sa mirë funksionon kjo dhe pastaj do ta testonim te njerëzit”, i thotë BBC-së në laboratorin e tij Abdullah Ely, një profesor i asociuar në Universitetin Wits.
“Plani ishte të zhvilloheshin provat në Afrikë bazuar në kërkimet e kryera nga afrikanët sepse duam që ky hulumtim t'i sjellë dobi komunitetit tonë, si dhe gjithë njerëzimit”.
Por shkurtimet e fondeve nga SHBA-ja e vunë në dyshim punën e tyre.
“Kur erdhi urdhri i ndalimit, kjo do të thoshte se duhej të ndalonim gjithçka. Vetëm disa prej nesh kanë qenë në gjendje të marrin fonde shtesë në mënyrë që të mund të vazhdonim punën tonë. Na ka kthyer muaj prapa, ndoshta edhe një vit”, thotë prof. Ely.
Laboratori nuk ka fonde për të kryer prova klinike të planifikuara për më vonë këtë vit.
“Kjo është një humbje shumë e madhe për Afrikën e Jugut dhe kontinentin. Do të thotë që çdo hulumtim i mundshëm që del nga Afrika do të duhet të testohet në Evropë ose në SHBA”, thotë Prof. Ely.
Në qershor, universitetet i kërkuan qeverisë një paketë shpëtimi prej 4.6 miliardë randësh të Afrikës së Jugut (260 milionë dollarë) gjatë tre viteve të ardhshme për të mbuluar një pjesë të financimit të humbur nga SHBA-ja.
“Ne po kërkojmë mbështetje sepse Afrika e Jugut po udhëheq në kërkimin për HIV-in, por nuk po udhëheq për veten e saj. Kjo ka pasoja në praktikën dhe politikat e të gjithë globit”, thotë Dr. Phethiwe Matutu, kreu i Universiteteve të Afrikës së Jugut.
Ministri i Shëndetësisë i Afrikës së Jugut, Aaron Motsoaledi, njoftoi se ishin siguruar disa fonde alternative për kërkimin.
Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe Welcome Trust kanë rënë dakord të dhurojnë nga 100 milionë rand secili me efekt të menjëhershëm, ndërsa qeveria do të vërë në dispozicion 400 milionë rand gjatë tre vjetëve të ardhshëm, tha ai.
Kjo do ta çonte totalin në 600 milionë rand, shumë më poshtë se 4.6 miliardë randët e kërkuar nga studiuesit.
Sa i përket Gugut, ajo shpresonte se deri në moshën e shtyrë, do të ishte gjetur një kurë për HIV/AIDS, por tani është më pak optimiste.
“Unë kujdesem për një nëntëvjeçar. Dua të jetoj sa më gjatë që të mundem për të vazhduar të kujdesem për të”, i thotë ajo BBC-së.
“Ky nuk është vetëm një problem për momentin, duhet të mendojmë se si do të ndikojë në brezin e ardhshëm të grave dhe të rinjve”.