Botë

Shina ishte e çarë para aksidentit të trenit që la dhjetëra të vdekur në Spanjë

treni

Raporti preliminar ka konstatuar se çarja në një segment të drejtë të shinave ka ndodhur para kalimit të trenit me shpejtësi të lartë që doli nga shinat, duke shkaktuar aksidentin e rëndë hekurudhor të së dielës së kaluar në Spanjë, ku vdiqën 45 persona, shkruan BBC.

Treni i operuar nga kompania private Iryo doli nga shinat, ndërsa vagonët e pasmë kaluan në binarin e kundërt dhe u përplasën me një tren që po vinte përballë, i operuar nga kompania shtetërore Renfe.

Komisioni hetimor hekurudhor CIAF bëri të ditur se jo vetëm vagonët e përparmë të trenit të Iryos, të cilët mbetën në shina, kishin “gërvishtje” në rrota, por se edhe tre trena të tjerë, që kishin kaluar më herët në të njëjtin segment, shfaqnin shenja të ngjashme.

Një hapësirë prej afro 40 centimetrash në shina është bërë pika kryesore e hetimit për shkaqet e aksidentit.

Përplasja vdekjeprurëse ndodhi rreth një orë pasi treni i Iryos ishte nisur nga Malaga drejt Madridit.

Sipas raportit, tre vagonët e fundit të trenit dolën nga shinat dhe u përplasën me trenin e Renfes që udhëtonte drejt Huelvas.

“Vagoni i gjashtë doli nga shinat për shkak të mungesës së plotë të vazhdimësisë së shinës”, thuhet në raport.

Shumica e viktimave dhe të lënduarve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit të operuar nga kompania shtetërore.