Botë

Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton planet e Netanyahut për okupimin e Gazës

Benjamin Netanyahu

Shefi i Ushtrisë së Izraelit, Eyal Zamir, i ka kundërshtuar planet e Benjamin Netanyahut për të okupuar plotësisht Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur tri burime të agjencisë së lajmeve Reuters, teksa presioni mbi kryeministrin izraelit është rritur gjithnjë e më shumë si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Gjatë takimit gati 3-orësh, Zamir e ka paralajmëruar Netanyahun se pushtimi i pjesëve të mbetura të enklavës do të ishte kurth për forcat ushtarake, si dhe do të mund të rrezikonte mirëqenien e pengjeve që po mbahen ende nga grupi militant palestinez, Hamas.

Sipas zyrtarëve të lartë, ushtria izraelite tashmë kontrollon rreth 75 për qind të territorit të Gazës që prej fillimit të luftës nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor gjatë tetorit të vitit 2023.

Netanyahu është nën presion të hatashëm ndërkombëtar për të arritur marrëveshje të armëpushimit, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit që e ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit që banohet me mbi 2 milionë palestinezë.

E në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se do të ketë “pasoja katastrofike” në rast se Izraeli zgjeron operacionet ushtarake në Gazë, pas raportimeve se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po synon ripushtimin e plotë.

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm, Miroslav Jença, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se një veprim i tillë do të ishte “thellësisht alarmues” dhe do të mund të rrezikonte jetën e më shumë palestinezëve, si dhe pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.