Ushtruesi i detyrës së kreut të Shërbimit Sekret të SHBA-së ka thënë se “humbi gjumin” për shkak të dështimeve të sigurisë që çuan në tentim vrasjen e ish-presidentit Donal Trump.
Në një seancë të Senatit, Ronald Rowe dhe zëvendësdrejtori i FBI-së, Paul Abbate, folën për hetimin që po vazhdon mbi atë se si erdhi deri te e shtëna mbi Trumpin, për elementet që kanë mësuar për personin e arrestuar dhe dështimet e sigurisë që i lejuan të armatosurit të gjuajë.
Një prej dështimeve që ai përmendi ishte se Shërbimi Sekret nuk ishte në gjendje të vendoste një “sistem ajror mbrojtjeje pa pilot” para tubimit të Trumpit për shkak se problemeve me internet.
Nëse do të kishin vepruar në këtë mënyrë, do ta vërenin të armatosurin, raportoi BBC.
Hetuesit tani besojnë se i armatosuri, Thomas Matthew Crooks, e kishte vëzhguar më herët zonën.
“Kjo është diçka që më ka kushtuar me shumë gjumë, për shkak të rezultateve të njëpasnjëshme”, ka thënë Rowe.
“Nuk kam shpjegim... ndiej sikur mund ta kishim gjetur, ndoshta mund ta kishim ndaluar atë ditë”, ka shtuar ai.
Ai nuk ka ndarë detaje të tjera, por ka thënë se agjencia do të identifikojë boshllëqet e veta dhe do ta përmirësojë mënyrën e reagimit.
As Rowe dhe as Abbate nuk ishin në gjendje të përgjigjeshin kur u pyetën se si pati mundësi që Crooks të ngjitej mbi çati me armë, madje në një çati ku kishte pamje të qartë të Trumpit.