Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të shtunën për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Rripin e Gazës, pas intensifikimit të ofensivës ushtarake nga Izraeli në territorin palestinez të shtunën.
“Duhet armëpushim i përhershëm, tani”, iu ka thënë Guterres liderëve të mbledhur në samitin e Ligës Arabe, që po organizohet në Bagdad të Irakut.
“Jam i shqetësuar nga planet e raportuara të Izraelit për të zgjeruar operacionet tokësore dhe më shumë”, ka vazhduar ai.
Ndër të tjera, kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani, vendi i të cilit po pret samitin e Ligës Arabe, ka thënë të shtunën se Iraku do të ofrojë 40 milionë dollarë për rindërtimin e Libanit dhe Gazës pas luftërave me Izraelin.
“Iraku mbështet krijimin e një fondi arab për të mbështetur përpjekjet për rindërtim pas krizave në rajon”, u ka thënë al-Sudani liderëve arabë në Bagdad.
"Iraku do të kontribuojë 20 milionë dollarë për rindërtimin e Gazës dhe 20 milionë për rindërtimin e Libanit”, ka shtuar ai.
