Botë

SHBA-ja thotë se India ka përgjysmuar blerjet e naftës nga Rusia, burimet indiane e mohojnë

shba-rusi

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, India ka përgjysmuar blerjet e saj të naftës nga Rusia, por burime nga India thanë se nuk ka pasur ndonjë ulje të menjëhershme, në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump po i kërkon Indisë dhe vendeve të tjera të blejnë më pak naftë ruse.

Nafta ruse është një nga pikat më të nxehta të mosmarrëveshjeve në bisedimet tregtare mes SHBA-së dhe Indisë - gjysma e tarifave 50% që Trump ka vendosur ndaj mallrave indiane janë hakmarrje për këto blerje të naftës. Administrata e tij thotë se Rusia po përdor paratë që fiton nga shitja e naftës për të financuar luftën në Ukrainë.

Zyrtari amerikan i tha agjencisë Reuters të enjten se bisedimet me një delegacion indian që ndodhej në Uashington këtë javë kanë qenë produktive dhe se rafineritë indiane tashmë po e ulin me 50% blerjen e naftës nga Rusia.

Por burime nga industria në Indi thanë të premten se qeveria nuk u ka dhënë ndonjë udhëzim rafinerive për të ulur importet nga Rusia.

Sipas këtyre burimeve, që nuk deshën të identifikohen pasi nuk janë të autorizuar të flasin për media, rafineritë tashmë kanë porositur naftë për nëntor, madje edhe për dërgesa që do të mbërrijnë në dhjetor. Kështu që çdo ulje në importe do të shfaqet ndoshta në shifrat e dhjetorit ose janarit.

Ministria indiane e naftës dhe rafineritë që blejnë naftë ruse nuk u janë përgjigjur kërkesave të Reuters për koment.

E presidenti Trump ka deklaruar se kryeministri indian Narendra Modi i kishte premtuar të mërkurën se India do të ndalonte blerjen e naftës ruse. Ministria e Jashtme e Indisë nuk e komentoi deklaratën e Trumpit, përveçse tha se nuk ishte në dijeni për ndonjë bisedë telefonike mes dy liderëve atë ditë.