Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj presidentit kolumbian, Gustavo Petro, duke e akuzuar atë për lejimin e trafikimit me narkotik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar vazhdimisht presidentin kolumbian se po refuzon të ndalojë rrjedhën e kokainës në Shtetet e Bashkuara. Sipas autoriteteve amerikane sanksione janë vendosur edhe ndaj gruas dhe djalit të Petros, si dhe ministrit të brendshëm kolumbian, Armando Benedetti.
Tensionet midis Washingtonit dhe shumë vendeve në rajon janë rritur prej javësh. Ushtria amerikane ka rritur aktivitetin në Karaibe, duke goditur anije në ujërat ndërkombëtare që ka pretenduar se transportojnë drogë.
Trump këtë javë e quajti Petron një udhëheqës të paligjshëm të drogës pasi presidenti kolumbian akuzoi SHBA-në për vrasje.
Petro, mandati i të cilit do të përfundojë pas 10 muajsh, gjithmonë i ka kundërshtuar sulmet amerikane. Ai është përpjekur t'i japë fund konfliktit gjashtë dekadash të Kolumbisë përmes marrëveshjeve të paqes me rebelët dhe bandat kriminale, por këto përpjekje kanë dhënë pak fryte.