Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, John Kelley, ka deklaruar të enjten mbrëma në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit se propozimi për armëpushim në Ukrainë është “rruga më e mirë për Rusinë”, dhe se presidenti rus, Vladimir Putin duhet ta pranojë atë, transmeton Reuters.
“Ne duam të angazhohemi me Rusinë, përfshirë në këtë nismë të paqes dhe në një pako ekonomike. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt”, ka thënë Kelley para Këshillit të Sigurimit.
“Marrëveshja e ofruar është rruga më e mirë për Rusinë. Presidenti Putin duhet ta pranojë atë”, ka shtuar ai.
Kelley ka thënë se hapi i parë i Amerikës ishte propozimi i një armëpushimi të menjëhershëm, pa kushte dhe gjithëpërfshirës, i cili është pranuar nga Ukraina, porse ka hasur në kundërshtimin e Rusisë.
“Që nga atëherë, ne i kemi bërë thirrje Rusisë ta pranojë armëpushimin”, ka thënë ai.
“Nëse Rusia merr vendim për ta vazhduar këtë luftë katastrofike, Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë tërheqjen nga përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit”, ka paralajmëruar Kelley, tek ka shtuar se Washingtoni mundet po ashtu të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë.
SHBA-ja dëshiron që Rusia të pranojë një armëpushim të plotë 30-ditor në tokë, ajër, det dhe infrastrukturë kritike. Rundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta i disa dite më parë në Stamboll të Turqisë dështoi të prodhonte marrëveshjen për armëpushim, të cilin Moska zyrtare e ka vlerësuar si të paarritshmëm përderisa nuk përmbushen disa kushte të caktuara.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e filloi mandatin e tij të dytë në muajin janar, në mesin e premtimeve se do t’i jepte fund luftës tashmë trevjeçare të Rusisë në Ukrainë.