Donald Trumpi mund të largohet nga lufta ukrainase, ka deklaruar djali më i madh i presidentit amerikan në komentet e tij gjatë një konference për Lindjen e Mesme.
Në një fjalim të gjatë plot mllef për luftën në Ukrainë, Donald Trump Jr ka thënë gjithashtu se të pasurit "e korruptuar" të Ukrainës kishin ikur nga vendi i tyre duke lënë "atë që ata besonin se ishte klasa fshatare" për të luftuar kundër Rusisë.
Trump Jr nuk ka asnjë rol formal brenda administratës së babait të tij, por është një figurë kyçe në lëvizjen Maga. Ndërhyrja e tij pasqyron antipatinë midis disave brenda ekipit të Trumpit ndaj qeverisë ukrainase dhe vjen ndërsa ekipi negociator i Trumpit po ushtron presion mbi Kievin që të heqë dorë nga territori.
Trump Jr ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po e zgjatë luftën sepse e di se nuk do t’i fitonte kurrë zgjedhjet nëse ajo do të mbaronte. Ai ka shtuar se Ukraina ishte shumë më e korruptuar se Rusia.
Ai gjithashtu ka sulmuar shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke thënë se sanksionet evropiane nuk po funksiononin pasi ato thjesht kishin rritur çmimin e naftës, nga e cila Rusia mund të paguante për luftën e saj. Ai e përshkroi planin evropian si “ne do të presim që Rusia të falimentojë – ky nuk është një plan”.
Rreziku i anijeve venezueliane që sillnin drogën fentanil në SHBA është sipas tij, “një rrezik shumë më i qartë dhe i pranishëm sesa çdo gjë që po ndodh në Ukrainë ose Rusi”.
Ai ka pretenduar pa dhënë prova, se këtë verë, në një ditë të vetme në Monako, kishte vërejtur se 50% e supermakinave si Bugatti dhe Ferrari kishin targa ukrainase.
“A mendoni se kjo është fituar në Ukrainë?”, ka pyetur ai.
I pyetur nëse ishte e mundur që babai i tij, i cili ka kandiduar për zgjedhje duke pretenduar se mund të sillte paqe në Ukrainë, thjesht të largohej, Trump Jr ka thënë se ndoshta po, duke shtuar se babai i tij është një nga njerëzit më të paparashikueshëm në politikë.