Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton zgjerimin e ndalimit të udhëtimit duke u ndaluar potencialisht qytetarëve të 36 vendeve të tjera të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, sipas një kabllogrami të brendshëm të Departamentit të Shtetit të parë nga Reuters.
Më parë këtë muaj, presidenti republikan ka nënshkruar një shpallje që ndalonte hyrjen e qytetarëve nga 12 vende, duke thënë se ky veprim ishte i nevojshëm për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga "terroristët e huaj" dhe kërcënime të tjera të sigurisë kombëtare.
Direktiva ishte pjesë e një goditjeje ndaj imigracionit që Trumpi ka nisur këtë vit në fillim të mandatit të tij të dytë, e cila ka përfshirë deportimin në El Salvador të qindra venezuelianëve të dyshuar si anëtarë të bandave, si dhe përpjekjet për të mohuar regjistrimet e disa studentëve të huaj nga universitetet amerikane dhe për të deportuar të tjerë.
Në një kabllogram të brendshëm diplomatik të nënshkruar nga sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, Departamenti i Shtetit ka përshkruar dhjetëra shqetësime në lidhje me vendet në fjalë dhe ka kërkuar veprime korrigjuese.
"Departamenti ka identifikuar 36 vende shqetësuese që mund të rekomandohen për pezullim të plotë ose të pjesshëm të hyrjes nëse nuk përmbushin standardet dhe kërkesat e përcaktuara brenda 60 ditëve", thuhej në kabllogramin e dërguar gjatë fundjavës.
Kabllogrami u raportua për herë të parë nga Washington Post.
Vendet që mund të përballen me një ndalim të plotë ose të pjesshëm nëse nuk i adresojnë këto shqetësime brenda 60 ditëve të ardhshme janë: Angola, Antigua dhe Barbuda, Benini, Butani, Burkina Faso, Kepi i Gjelbër, Kamboxhia, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Republika Demokratike e Kongos, Xhibuti, Dominika, Etiopia, Egjipti, Gaboni, Gambia, Gana, Kirgistani, Liberia, Malavi, Mauritania, Nigeri, Nigeria, Shën Kits dhe Nevis, Shën Lucia, Sao Tome dhe Principe, Senegali, Sudani i Jugut, Siria, Tanzania, Tonga, Tuvalu, Uganda, Vanuatu, Zambia dhe Zimbabve.