Botë

SHBA-ja flet për rrezik të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë

Sulmi në Sumy në Ukrainës (13 prill)

Foto: Associated Press

I dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Ukrainën, Keith Kellogg ka thënë se rreziku i përshkallëzimit të luftës në Ukrainë po "rritet shumë" pasi forcat ukrainase përdorën dronë për të goditur bombardues të aftë për të mbajtur koka bërthamore, në disa baza ajrore thellë brenda Rusisë.

Ukraina ka thënë se ka sulmuar fushat ajrore në Siberi dhe në veriun e largët të Rusisë gjatë fundjavës, duke goditur objektiva deri në 4,300 km larg nga vijat e frontit të konfliktit.

"Po ju them, nivelet e rrezikut po rriten shumë, dua të them, duke pasur parasysh çfarë ndodhi këtë fundjavë", ka thënë Kellogg, për Fox News.

“Njerëzit duhet të kuptojnë në hapësirën e sigurisë kombëtare: kur sulmon pjesën e sistemit të mbijetesës kombëtare të një kundërshtari, që është triada e tyre, triada bërthamore, kjo do të thotë se niveli juaj i rrezikut rritet sepse nuk e dini se çfarë do të bëjë pala tjetër. Nuk jeni të sigurt”, është shprehur Kellogg.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara së bashku mbajnë rreth 88% të të gjitha armëve bërthamore.Çdo fuqi ka tri mënyra kryesore për të sulmuar me koka bërthamore, të njohura si triada bërthamore: bombardues strategjikë, raketa balistike ndërkontinentale të lëshuara nga toka dhe raketa balistike të lëshuara nga nëndetëset.

Kellogg ka thënë se dëmi ndaj bombarduesve rusë në fundjavë ishte më pak i rëndësishëm sesa ndikimi psikologjik mbi Rusinë dhe se ai ishte veçanërisht i shqetësuar nga raportet e pakonfirmuara për një sulm ukrainas ndaj një baze detare në Rusinë veriore.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë të martën se Trumpi nuk ishte informuar paraprakisht për sulmet me dronë të Ukrainës ndaj bombarduesve rusë.

Rusia dhe Ukraina zhvilluan bisedime në Stamboll të hënën, por bënë pak përparim drejt përfundimit të luftës që ka shpërthyer që kur Moska dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më shumë se tre vjet më parë.