Botë

SHBA-ja e fut Kolumbinë në listën e vendeve "jobashkëpunuese në luftën kundër drogës”

Donald TRump

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë etiketuar zyrtarisht Kolumbinë si vend që “ka dështuar në mënyrë të dukshme” t’i përmbushë detyrimet për ta kontrolluar trafikun e drogës, raporton “BBC”. 

Por, SHBA-ja nuk ka marrë ende vendim që ta ndërpresë fluksin e ndihmave amerikane për Kolumbinë. 

Çdo vit Qeveria e SHBA-së e bën një listë të vendeve që s’bashkëpunojnë plotësisht në përpjekjet për luftimin e narkotikëve. Dhe ato që cilësohen si jobashkëpunuese rrezikojnë t’u ndërpriten fondet amerikane. 

Të hënën, administrata Trump tha se prodhimi i kokainës në Kolumbi ishte rritur në shifra rekorde nën presidentin e saj të krahut të majtë, Gustavo Petro, gjë që udhëheqësi kolumbian e mohoi. 

Në përgjigje, Qeveria kolumbiane tha se do të ndalonte blerjen e armëve nga SHBA-ja. 

Ministri i Brendshëm i Kolumbisë, Armando Benedetti, konfirmoi ndalimin e blerjes së armëve amerikane. 

Vendet tjera që SHBA-ja ka thënë se s’kanë arritur t’i përmbushin objektivat në luftimin e drogës janë Afganistani, Bolivia, Birmania dhe Venezuela. 

Kolumbia është shtuar në listë për herë të parë që nga viti 1997.