Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shprehur mbështetje për Ukrainën në përvjetorin e katërt të pushtimit rus. Asambleja miratoi një rezolutë që thoshte se ishte e përkushtuar ndaj “sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.”
Ajo u miratua me 107 vota pro, 12 kundër dhe 51 abstenime. Në abstenim përfshihet edhe SHBA-ja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRezoluta bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte dhe për një “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Delegacioni amerikan kishte kërkuar një votim të veçantë për paragrafët që lidhen me integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare, por kjo ide u hodh poshtë.
Zëvendësambasadorja amerikane Tammy Bruce tha se e mirëpriste thirrjen e OKB-së për një armëpushim, por ajo potencoi se rezoluta përfshin gjuhë që ka gjasa të shpërqendrojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, në vend që t’i mbështesë ato.
Megjithatë, udhëheqësit e G7, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, të martën riafirmuan “mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën” në një deklaratë në përvjetorin e katërt të pushtimit.
Kalimi nga Joe Biden te Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar ka bërë që mbështetja e fortë dhe e pakushtëzuar e SHBA-së për Ukrainën të zbehet ndjeshëm.
Një muaj pasi Trump u rikthye në pushtet në janar 2025, Shtetet e Bashkuara votuan kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që bënte thirrje për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” për t’i dhënë fund luftës.
Delegacioni amerikan më pas siguroi miratimin në Këshillin e Sigurimit të një rezolute të mbështetur nga Rusia që bënte thirrje për paqe, por nuk përmendte integritetin territorial të Ukrainës, duke zhgënjyer aleatët evropianë të Ukrainës.
“Pavarësisht përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja dhe të mbështetura nga Evropa, Rusia vazhdon të tregojë se nuk ka vullnet të vërtetë për të ndalur këtë agresion,” tha zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Mariana Betsa.
Zëvendësambasadorja ruse Anna Evstigneeva u përgjigj duke thënë se Ukraina duhet të përqendrohet në diplomaci për t’i dhënë fund luftës “në vend që të nisë edhe një votim tjetër të politizuar.”
Në Washington, ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Olga Stefanishyna, i bëri thirrje administratës Trump ta intensifikojë presionin ndaj Rusisë.
“Shpresojmë që qeveria amerikane në këtë ditë të veçantë... të arrijë në mirëkuptimin se gjuha që kuptohet nga rusët nuk është dialogu apo përpjekja diplomatike, por presioni,” u tha Stefanishyna gazetarëve.
Ajo shprehi shpresën se ligjvënësit amerikanë së shpejti do të miratojnë një projektligj që vendos tarifa dhe sanksione dytësore ndaj vendeve që bëjnë biznes me Rusinë, me qëllim që të ndikojë edhe më tepër në ekonomi dhe aftësinë për të financuar tutje luftën.
Stefanishyna shtoi se Ukraina ka nevojë të dëshpëruar për mbrojtje ajrore, në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike gjatë një dimri të ashpër.
Duke pranuar se “është shumë herët për të folur për ndonjë marrëveshje në një periudhë të afërt,” ajo tha se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës duhet të përfshijë garanci të forta sigurie nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.