Botë

Sfida e një çifti në Gazë për të sjellë në jetë vajzën në një tendë të përmbytur

Gaza

Në një tendë të përmbytur në Deir el-Balah, Samar dhe Abdulrahman al-Salmi përballen me goditjen e fundit në vargun e vuajtjeve që u ka sjellë lufta. Shiu i parë i këtij dimri shkatërroi gjithçka që kishin përgatitur për foshnjën, e cila pritet të lindë së shpejti, duke e zhytur familjen në një krizë të re mes të ftohtit, sëmundjeve dhe mungesave të shumta. Ndërsa fëmijët e tyre dridhen nga i ftohti dhe çdo ditë luftojnë për të mbijetuar, çifti kërkon të paktën një strehë të sigurt dhe një grimcë dinjitet. Historia e tyre është pasqyrë e tragjedisë së mijëra familjeve të Gazës, të mbërthyera mes luftës dhe dimrit të pamëshirshëm.

Shiu i parë i dendur i këtij dimri nuk erdhi si bekim, por si një katastrofë e re për Samar al-Salmin dhe familjen e saj.

Herët në mëngjes, shpërthime uji përshkuan tendën e tyre të dëmtuar në kampin e zhvendosjes, duke i zgjuar me tronditje, teksa toka nën ta u kthye në një pellg balte.

Kudo përreth, njerëzit e zhvendosur vraponin të riparonin dëmet që solli shiu, duke mbushur gropat e përmbytura me rërë dhe duke nxjerrë dyshekët e lagur në rrezet e dobëta të diellit të dimrit.

Për Samarin, 35 vjeçe, ishte momenti më i papërshtatshëm i mundshëm: ajo është në prag të lindjes, dhe gjithçka që kishte përgatitur për vajzën që pritet ta lindë u lag e u ndot.

“Të gjitha rrobat e foshnjës u mbuluan nga balta, siç po i shihni”, thotë ajo, duke ngritur veshjet e vogla me njolla kafe. “Çdo gjë që kisha përgatitur u zhyt, madje edhe pelenat dhe kutia e formulës”.

Samar, bashkëshorti dhe tre fëmijët e tyre jetojnë në një tendë në Deir el-Balah, pranë tendave ku banojnë nëna dhe vëllezërit e saj. Të gjithë janë të zhvendosur nga shtëpia e tyre në Tal al-Hawa, në jugperëndim të qytetit të Gazës, si pasojë e luftës shkatërrimtare të Izraelit në këtë territor.

“Nuk ka fjalë që përshkruajnë atë që ndiej”, thotë ajo me zërin që i dridhet. “Më duket sikur më ngrin mendja. Si duhet ta mirëpres vajzën time në këtë gjendje?”

Gjersa Samar përpiqet të shpëtojë rroba e batanije, bashkëshorti dhe vëllezërit marrin me lopata rërë për të mbushur pellgjet e ujit që kanë pushtuar hapësirën e tyre. Dyshekë, rroba dhe sende bazë të shpërndara përreth janë të lagura e të papërdorshme.

“Çantën me gjërat e spitalit për foshnjën e vura te tenda e nënës sime, duke menduar se do të ishte e sigurt”, rrëfen ajo. “Por shiu hyri aty i pari dhe i përmbyti të gjitha - edhe çantën”.

“Nuk di nga të filloj”, shton ajo. “Të kujdesem për fëmijët, rrobat e të cilëve janë plot baltë e rërë, kështu që më duhet të ngroh ujë për t’i larë?

Apo të përpiqem të thaj dyshekët, gjë kaq e vështirë në këtë të ftohtë?

Apo të përgatitem vetë, sepse mund të lind në çdo moment?”

Që nga fillimi i luftës dy vjet më parë, organizatat humanitare kanë paralajmëruar se familjet e zhvendosura në Gazë do të përballeshin me katastrofa sa herë të vinte dimri, pasi jetojnë në tenda të dobëta e të dëmtuara, për shkak të ndalimit të rreptë të Izraelit për futjen e materialeve të ndërtimit dhe karvanëve në Rripin e Gazës.

“Një tendë nuk është zgjidhje”, thotë Samar. “Në verë digjemi nga vapa, dhe në dimër përmbytemi. Kjo nuk është jetë. Dhe dimri ende s’ka nisur vërtet. Çfarë do të bëjmë kur të vijë acari?”

“Të paktën, pse nuk u lejuan karvanët? Çfarëdo çatie që të na mbronte, derisa të mbarojë kjo”.

Një baba i mbingarkuar

Bashkëshorti i Samarit, Abdulrahman al-Salmi, ulet në heshtje ndërsa riparon tendën bashkë me vëllezërit e saj. Në fillim, ndihet aq i dëshpëruar sa thotë se nuk ka as vullnet të flasë për Al Jazeeran. Por gradualisht, ai fillon të flasë.

“Si baba, ndihem i pafuqishëm”, thotë 39-vjeçari. “Përpiqem të mbaj jetën tonë bashkë nga njëra anë, dhe ajo shembet nga ana tjetër. Kjo është jeta jonë gjatë dhe pas luftës. Nuk kemi mundur të gjejmë asnjë zgjidhje”.

Ai tregon momentin kur Samar e telefonoi herët në mëngjes, teksa ai ishte nisur për ditën e tij të parë të punës në një berberhane të vogël.

“Ajo qante dhe bërtiste, dhe të gjithë përreth saj po bërtisnin”, kujton ai. “Më tha: ‘Eja shpejt, shiu ka hyrë në tendën tonë nga çdo drejtim’”.

Ai la gjithçka dhe vrapoi mbrapsht nën shi.

“Vendi ishte tërësisht i përmbytur, si një pishinë”, thotë ai, me sytë që i mbushen me lot. “Gruaja dhe vjehrra bërtisnin, fëmijët e mi ishin jashtë duke u dridhur nga të ftohtit, tendat ishin përmbytur, rruga ishte përmbytur… njerëzit po nxirrnin ujin nga tendat me kovë. Çdo gjë ishte jashtëzakonisht e vështirë”.

Për Abdulrahmanin, shiu ndihet si goditja e fundit.

“Që nga fillimi i luftës, kemi luftuar me çdo gjë, dhe tani shiu ka ardhur të na rrëzojë krejtësisht”.

Ai flet për vështirësitë e jashtëzakonshme për të siguruar gjërat bazike për foshnjën që pritet të vijë në jetë, mes mungesave të rënda dhe rritjes marramendëse të çmimeve.

“Pelenat i bleva për 85 shekelë (26 dollarë), të njëjtin lloj që më parë e merrnim për 13 (4 dollarë)”, thotë ai. “Formula e qumështit kushton 70 (21 dollarë). Madje edhe biberoni është i shtrenjtë. Dhe tani gjithçka që kishim përgatitur për lindjen është shkatërruar. Nuk di ç’të bëj”.

Çifti nuk mund të mos kujtojë jetën që kishin dikur; apartamentin e ngrohtë dhe të pastër në katin e dytë në Tal al-Hawa, ku jetonin një jetë të dinjitetshme dhe të qetë, siç thonë ata.

“Tani apartamenti, ndërtesa dhe e gjithë lagjja janë shkatërruar”, thotë Samar. “Të gjitha shtëpitë e familjes sonë janë zhdukur. S’kemi tjetër mundësi, veç të jetojmë në tenda”.

Ajo që i tmerron më shumë është të mirëpresin vajzën e tyre në këto kushte. Samar ka të caktuar një lindje me operacion (C-seksion) dhe pas saj do të kthehet sërish në tendë.

“Nuk e kam imagjinuar kurrë këtë”, thotë lehtë me zë të butë. “Nuk e kam imagjinuar kurrë se do ta prisja vajzën që kemi ëndërruar, në këto kushte”.

Ajo pranon, me ndjenjë faji, se nganjëherë është penduar që mbeti shtatzënë gjatë luftës.

“Gjatë lindjeve të mia të mëparshme, kthehesha nga spitali në apartamentin tim, në shtratin tim të rehatshëm, dhe kujdesesha për veten dhe foshnjën time në qetësi”, shton ajo me trishtim.

“Çdo nënë në botë do t’i kuptonte ndjenjat e mia sot: delikatesën e ditëve të fundit të shtatzënisë, momentin e lindjes dhe ditët e para pas saj”.

Zhvendosje e pafundme

Si shumica e familjeve në Gazë, edhe familja e Samar ka qenë e detyruar të zhvendoset vazhdimisht, duke kaluar nga Khan Younis në Rafah, pastaj në Nuseirat e më pas në Deir el-Balah.

“Ika te shtëpia e familjes sime, pastaj te shtëpia e xhaxhait, pastaj te familja e bashkëshortit. Çdo shtëpi ku u strehuam tani është shkatërruar, dhe të gjithë janë të pastrehë”, thotë Samar.

Fëmijët e tyre - Muhammedi shtatë vjeç, Kinani pesë dhe Yamani tre - janë ata që kanë vuajtur më shumë.

“Shihini”, thotë ajo. “Po dridhen nga i ftohti. Nuk kanë rroba të mjaftueshme. Dhe rrobat që sapo i lava janë mbuluar sërish me baltë”.

Para pak ditësh, fëmijët u desh të dërgoheshin në spital pasi u pickuan nga insekte brenda kampit. I ftohti dhe sëmundjet i ndjekin çdo natë.

“Djali i madh nuk flinte nga dhimbjet e barkut”, thotë Abdulrahmani. “E mbulova e rimbulova, por nuk pati asnjë efekt. Nuk ka batanije… asgjë”.

Për Samar, madje as armëpushimi nuk ka sjellë qetësi. Ajo hedh poshtë idenë se lufta është qetësuar. Për të, lufta nuk ka ndalur kurrë.

“Thonë se lufta ka mbaruar. Ku ka mbaruar?” pyet ajo. “Çdo ditë ka bombardime, çdo ditë ka martirë, dhe çdo ditë po mbytemi e vuajmë. Ky është fillimi i një lufte të re, jo fundi”.

Një thirrje për strehë

Mbi të gjitha, çifti dëshiron vetëm një gjë: dinjitet.

“Edhe karvanët nuk janë zgjidhje e vërtetë; janë të përkohshëm”, thotë Samar. “Ne jemi qenie njerëzore. Kishim shtëpi. Kërkesa jonë është të rindërtojmë shtëpitë tona”.

Kërkesa e saj e fundit u drejtohet organizatave humanitare.

“Kemi nevojë për rroba, dyshekë, batanije. Gjithçka është shkatërruar. Kemi nevojë për dikë që të qëndrojë pranë nesh. Kemi nevojë për një vend ku të strehohemi. Është e pamundur të jetojmë nën një copë najloni”.

Sa për Abdulrahmanin, ai e përmbledh realitetin e tyre me një fjali të vetme, ndërsa shtron një shtresë tjetër rëre:

“Sinqerisht… jemi kthyer në trupa pa shpirt”.