Botë

Serbia diskuton planin për të përshpejtuar ndërtimin e kompleksit luksoz të Jared Kushnerit

Jared Kushner

Parlamenti i Serbisë ka filluar të martën debatin për një plan që do të përshpejtonte zhvillimin e një kompleksi luksoz në Beograd, të propozuar nga kompania e investimeve të dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner.

Autoritetet serbe dhe kompania e Kushnerit "Affinity Global Development" me seli në SHBA, kanë nënshkruar një marrëveshje qiraje 99-vjeçare në maj të vitit 2024, duke i lejuar kompanisë të riparojë dy ndërtesa që dikur strehonin selinë e Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Projekti, i cili do të përfshinte një hotel, apartamente, dyqane dhe hapësira zyrash, ka shkaktuar protesta pasi shumë njerëz e shohin selinë e vjetër, e cila u dëmtua gjatë një fushate bombardimi të NATO-s në vitin 1999, si një homazh kulturor të rëndësishëm për ata që kanë vdekur, dhe një monument për arkitekturën moderniste të epokës jugosllave, raporton Reuters.

Megjithatë, qeveria serbe ka vazhduar me planin. Në nëntor 2024, ajo u ka hequr ndërtesave etiketën e trashëgimisë kulturore të mbrojtur, dhe këtë javë, sapo të përfundojë debati mbi projektligjin, do të votojë për të përshpejtuar procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit.

Avokatët kanë thënë se ishte e rrallë që një projekt kaq specifik të merrte këtë lloj vëmendjeje parlamentare.

Savo Manojloviq, një ekspert ligjor dhe udhëheqës i partisë opozitare Kreni Promeni, ka thënë se projektligji "pezullon të gjitha standardet në lidhje me mbrojtjen e pronës kulturore". Ai ka shtuar se do ta pyesë Gjykatën Kushtetuese të Serbisë nëse projektligji ishte kushtetues.

Kushner, i cili është i martuar me vajzën e Trumpit, Ivanka, ka themeluar Affinity Global Development pasi ka dhënë dorëheqjen nga puna e tij si ndihmës në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021. 

Partia në pushtet e Serbisë ka thënë se projekti i Kushnerit është me interes jetik, por nuk ka thënë pse.

Në një intervistë në televizionin lokal, presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se kishte kërkuar që të ndërtohej një monument për viktimat e bombardimeve të NATO-s, duke shtuar se “tani ata (Affinity Global Development) po e ndërtojnë atë me paratë e tyre".

Vota për projektin vjen në një kohë të trazuar në Serbi.

Vuçiqi është përballur me një vit protestash në shkallë të gjerë të shkaktuara nga shembja e çatisë së një stacioni autobusësh në Novi Sad, në nëntor 2024, që ka lënë të vdekur 16 persona. Ndërkohë, rafineria e vetme e naftës në Serbi, në pronësi ruse, është nën sanksione të SHBA-së, duke ngritur shqetësime në lidhje me furnizimet me karburant në vendin ballkanik këtë dimër.