Pas ngërçit disaorësh, republikanët në Senatin amerikan kanë miratuar mega-projektligjin e presidentit amerikan, Donald Trump, mbi taksat dhe shpenzimet, që nënkupton se legjislacioni i propozuar ka kapërcyer një nga pengesat kryesore.
Projektligji u votua pas më shumë se 24 orësh debati.
Tani ai shkon në Dhomën e Përfaqësuesve, ku edhe aty përballet me kundërshti. Një version i mëhershëm ishte miratuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, raportoi BBC.
Trumpi i ka dhënë Kongresit të kontrolluar nga republikanët një afat deri më 4 korrik që t’i dërgojnë një version përfundimtar të projektligjit për ta nënshkruar në ligj.
Megjithatë, mospajtimet rreth deficitit, programet sociale dhe nivelet e shpenzimeve mund të krijojnë vonesa, ndërsa edhe vetë Trumpi e ka thënë të martën se do të jetë “shumë vështirë” të përmbushet afati që vetë e ka dhënë.
Projektligji parasheh ulje të mëdha të përhershme të taksave që u vendosën përkohësisht kur ai mori detyrën për herë të parë. Për të kompensuar humbjen e pritur të të ardhurave, republikanët kanë kërkuar të ulin shpenzimet në një gamë të gjerë programesh, duke përfshirë subvencionet ushqimore dhe kujdesin shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.