Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka thënë se do të rekomandojë një ndalim udhëtimi për disa vende, të cilat ajo pretendon se po e "mbytin" SHBA-në me aktivitet kriminal.
Duke shkruar në mediat sociale të hënën, Noem ka thënë se është takuar me presidentin, Donald Trump dhe kishte vendosur t'i sugjeronte një ndalim të plotë udhëtimi për çdo vend që i shkaktonte probleme SHBA-së.
Trumpi dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) më pas ndanë postimin e Noem në llogaritë e tyre zyrtare përkatëse në mediat sociale.
Ende nuk është e qartë se te cilat vende do të ndikojë ndalimi i propozuar i udhëtimit, ose kur mund të fillojë.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i ka thënë Fox News të hënën në mbrëmje se Trumpi kishte njoftuar një ndalim udhëtimi disa muaj më parë për vendet e "botës së tretë dhe shteteve të dështuara", dhe se rekomandimi i Noem i sugjeronte atij të përfshinte më shumë kombe.
Më 4 qershor, Shtëpia e Bardhë renditi 19 vende, kryesisht në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Karaibe, të cilat do të përballeshin me kufizime të plota ose të pjesshme të imigracionit.
Komentet e Noem vijnë disa ditë pasi dy anëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan në Washington DC të mërkurën e kaluar.
Përpara komenteve të saj në lidhje me një ndalim udhëtimi, Noem ka shkruar në mediat sociale se 100,000 shtetas afganë hynë në SHBA sipas programit Operacioni Mirëseardhje për Aleatët e epokës së Bidenit, dhe ajo ka shtuar se DHS-ja do të rishikonte procesin e verifikimit.
Zyrtarët e kanë identifikuar të dyshuarin për të shtënat në Washington DC si një shtetas afgan që kishte hyrë në SHBA në vitin 2021 si pjesë e atij programi, i cili ishte hartuar për vendasit që kishin punuar me trupat amerikane gjatë vendosjes 20-vjeçare të SHBA-së në Afganistan.