Botë

Rutte këmbëngul në përkushtimin e SHBA-së, konfirmon që Ukraina është e ftuar në samitin e NATO-s

Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka folur të mërkurën në Bruksel para gazetarëve, tek ka adresuar disa çështje kyçe para takimit të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, raporton The Guardian.

I pyetur rreth mungesës së shefit të Pentagonit, Pete Hegseth, në takimin e sotshëm, Rutte ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë “plotësisht të përkushtuara” ndaj NATO-s dhe ndihmës për Ukrainën.

Ai ka shtuar se Hegsethi do t’i bashkohet bisedimeve të NATO-s të enjten.

Rutte gjithashtu ka konfirmuar se Ukraina është e ftuar në samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë të Holandës, që do të mbahet më vonë këtë muaj, teksa premtoi se do të zbulojë më shumë detaje në kohën e duhur.