Botë

Rusia vret gjashtë ushtarë ukrainas derisa po stërviteshin

Ukraine

Një sulm me raketa ruse gjatë një stërvitjeje në rajonin kufitar Sumy të Ukrainës ka vrarë gjashtë ushtarakë dhe ka plagosur më shumë se 10 të tjerë, ka njoftuar Garda Kombëtare e Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte publikuar më herët një video që pretendonte të tregonte një sulm me raketa Iskander në një kamp trajnimi, teksa agjencia shtetërore e lajmeve Tass ka thënë se deri në 70 persona kanë vdekur, raporton BBC.

Rajoni Sumy është nën bombardime të përsëritura, teksa Ukraina ka nisur një pushtim prej muajsh të një pjese të rajonit fqinj Kursk të Rusisë, për të cilin Moska tani pretendon se e ka rimarrë.

Ushtria ukrainase ka thënë se qëllimi i ofensivës në Kurs ka qenë të ndihmonte në krijimin e një zone tampon për të mbrojtur Sumyn.

Ndërkohë, Kremlini ka bërë të ditur të mërkurën se presidenti Vladimir Putin ka qëndruar të martën në Kursk duke shënuar vizitën e tij të parë në rajon që kur forcat ukrainase u dëbuan nga aty.

Ai ka vizituar një central bërthamor aty pranë, ka raportuar media shtetërore.

Garda Kombëtare e Ukrainës ka thënë se sulmi ku mbetën të vrarë ushtarët ukrainas ka ndodhur ndërsa njësia po kryente stërvitje në një poligon qitjeje. Komandanti është pezulluar teksa ka nisur edhe një hetim zyrtar.