Botë

Rusia tallet me tensionin Trump-Musk, del me oferta pune për biznesmenin

Musk & Trump

Foto: Associated Press

Tensioni i krijuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe biznesmenit Elon Musk, ka shkaktuar reagime përqeshëse dhe tallje te klasa sunduese e Moskës, raportoi të premten Reuters.

Një zyrtar i lartë rus ka bërë shkak për organizimin e bisedimeve të paqes, ndërsa një tjetër tha se Musku duhet t’i dërgojë bizneset e tij në Rusi.

"Elon, mos u mërzit! Nëse hasni probleme të pakapërcyeshme në SHBA, ejani te ne. Këtu do të gjeni shokë të besueshëm dhe liri të plotë të kreativitetit teknik”, shkroi në platformën “X” senatori nacionalist Dmitry Rogozin, i cili dikur drejtonte programin hapësinor të Rusisë. 

Ish-presidenti Dmitry Medvedev, që tani është zyrtar i lartë i sigurisë shprehi gatishmërinë për ta lehtësuar dialogun për arritjen e një marrëveshjeje të paqes midis palëve.  

"Jemi të gatshëm të lehtësojmë përfundimin e një marrëveshjeje paqeje midis D dhe E kundrejt një tarife të arsyeshme dhe të pranojmë aksionet e Starlinkut si pagesë. Mos u grindni, djema", ka shkruar ai. 

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për përplasjen, tha se është një çështje e brendshme e SHBA-së, megjithëse qe i bindur se Trumpi do ta trajtonte atë.