Botë

Rusia shpall gjendje emergjente në rajonin e Orenburgut për shkak të përmbytjeve

Rusia

 

 

Qeveria ruse shpalli të dielën gjendje emergjente në zonat e goditura nga përmbytjet në rajonin e Orenburgut, njoftuan mediat shtetërore.

Përmbytjet, të shkaktuara nga rritja e nivelit të ujit në lumin Ural, detyruan mbi 4  mijë njerëz, përfshirë 885 fëmijë, të evakuohen, tha qeveria rajonale.

Agjencia shtetërore e lajmeve Tass  ka njoftuar se 2 mijë shtëpi të tjera u përmbytën, duke e çuar totalin në gati 6 mijë e 300 persona të evakuuar në rajon.

Orsk, më pak se 20 kilometra në veri të kufirit me Kazakistanin, pësoi më së keqi nga përmbytjet që shkaktuan thyerjen e një dige të premten, sipas kryebashkiakut të Orsk, Vasily Kozupitsa.

Deri të dielën në mëngjes, mbi 6 mijë  ndërtesa banimi në qytetin me 200 mijë banorë u përmbytën dhe përpjekjet për evakuim ishin ende në vazhdim, tha Tass.

Një hetim penal ka nisur për të hetuar shkeljet e dyshuara të ndërtimit që mund të kenë shkaktuar thyerjen e digës.

Autoritetet lokale thanë se diga mund të përballojë nivelet e ujit deri në 5.5 metra.

Të shtunën në mëngjes, niveli i ujit arriti rreth 9.3 metra dhe po rritet,  ka theksuar Kozupitsa.

Të dielën, niveli në Orsk arriti në 9.7 metra, sipas faqes ruse të informacionit për nivelin e ujit AllRivers.

Zyrtarët në Orsk raportuan të dielën se katër persona kishin vdekur, por thanë se vdekjet e tyre nuk kishin lidhje me përmbytjet.

Lumi Ural, rreth 2.428 kilometra i gjatë, rrjedh nga pjesa jugore e Uraleve në skajin verior të Detit Kaspik, përmes Rusisë dhe Kazakistanit.