Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia po paguan për një gabim fatal në llogaritjet lidhur me Ukrainën

Ukraine

Foto: Associated Press

Të martën bëhen plot 4 vjet prej që ka nisur pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga fqinji i saj, Rusia. Ideja e Moskës se do ta merrte kontrollin e Ukrainës për 10 ditë, ka dalë të jetë një llogaritje e gabuar, sipas statistikave dhe ekspertëve. Pavarësisht se Ukraina nuk është mposhtur dhe Rusia po ashtu nuk është ndalur, të dy vendet kanë pësuar dëme të mëdha në shumë aspeke.

Në orët e para të 24 shkurtit 2022, në Kiev, pushtimi i plotë rus dukej ende i paimagjinueshëm, pavarësisht grumbullimit të trupave në kufi. Vladimir Putini kishte përdorur më parë forcën ushtarake në Çeçeni, Gjeorgji, Siri, Krime dhe Ukrainën lindore me kosto relativisht të ulët. 

Por pushtimi i vendit të dytë më të madh në Evropë do të ishte një hap me pasoja potencialisht katastrofike. Megjithatë, sulmi nisi dhe raketat ranë mbi kryeqytetin ukrainas.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Katër vjet luftë rrëzuan shumë supozime. Shumë besonin se Ukraina do të binte shpejt, po ashtu, ushtria ruse konsiderohej pothuajse e pathyeshme. Sipas Royal United Services Institute, Moska priste ta merrte kontrollin e Ukrainës brenda 10 ditësh. Mbi 1,450 ditë më vonë, ky vlerësim duket thellësisht i gabuar.

Kostoja njerëzore është e jashtëzakonshme. Sipas Center for Strategic and International Studies, rreth 1.2 milionë rusë janë vrarë ose plagosur që nga nisja e pushtimit, ndërsa humbjet ukrainase llogariten midis 500,000 dhe 600,000. Vetëm humbjet ruse në katër vjet tejkalojnë ato të çdo fuqie të madhe në çdo luftë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërkohë, siç thekson shpesh Donald Trumpi, gjakderdhja vazhdon të rritet.

Në Rusi, shifrat zyrtare mbahen të fshehta. Ndërsa Moska në përgjithësi duket e qetë, ekonomia e saj po përballet me presione në rritje. Fillimisht, rritja e shpenzimeve ushtarake dhe eksportet e energjisë e mbajtën ekonominë në këmbë, madje duke e renditur Rusinë në vendin e 9-të në botë sipas FMN-së. Por shenjat e një ekonomie lufte të dobët po bëhen të dukshme gjithnjë e më shumë.

Në planin ndërkombëtar, një nga qëllimet kryesore të Kremlinit, ndalimi i zgjerimit të NATO-s, dështoi. Suedia dhe Finlanda iu bashkuan aleancës, duke e zgjeruar ndjeshëm kufirin e Rusisë me NATO-n.

Sanksionet perëndimore e shtynë Moskën të afrohej më shumë me Kinën, duke krijuar një marrëdhënie të pabalancuar ku Rusia duket gjithnjë e më e varur.

Pas katër vjetësh lufte rraskapitëse, Ukraina ka pësuar shkatërrime të mëdha, por Rusia gjithashtu ka dalë e dobësuar – ekonomikisht, ushtarakisht dhe diplomatikisht. 

E pavarësisht intensifikimit të përpjekeve të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës, duke ndërmjetësuar bisedime mes palëve ndërluftuese, deri më tani nuk ka pasur një progres të madh. 

Para rundit të fundit të negociatave të mbajtura në Gjenevë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është ankuar se presidenti amerikan Donald Trump, ka shtuar presionin ndaj tij për arritjen e një marrëveshjeje.

“Zelensky do të duhet të veprojë. Rusia dëshiron të bëjë një marrëveshje dhe Zelensky do të duhet të veprojë, përndryshe do të humbasë një mundësi të shkëlqyer. Ai duhet të veprojë”, ka thënë Trumpi.

Mirëpo presidenti Trump ka qenë i lëkundur shpeshherë në qëndrimet e tij, duke shtuar presionin herë nga ana e Ukrainës e herë nga ana e Rusisë.

Vitin e kaluar, ai ka thënë se Rusia i ka letrat në dorë, duke aluduar në fuqinë e saj më të madhe ushtarake dhe përparimin në fushëbetejë. 

Mirëpo pavarësisht kërkesës së Moskës zyrtare që Ukraina të lëshojë territor, që është kushti kryesor i saj për fundin e luftës, Kievi nuk pranon të lëshojë territor të cilin forcat ruse nuk e kanë fituar gjatë luftimeve.