Botë

Rusia po i përdor të rinjtë ukrainas si armë në luftën e saj hibride

Ukraina

Në një fushatë gjithnjë e më të rrezikshme brenda Ukrainës, shërbimet ruse të inteligjencës po përdorin kanale në platformën sociale, Telegram, për të rekrutuar të rinj ukrainas – shpesh adoleshentë të papunë – duke i paguar ata që të kryejnë detyra të vogla që më pas shndërrohen në operacione sabotazhi, madje edhe akte terroriste. Shpesh, këta rekrutë nuk e kuptojnë që po mbajnë pajisje shpërthyese të lidhura me telefona celularë, të cilat mund të aktivizohen në distancë, duke i bërë ata kamikazë pa vetëdije.

Oleh e gjeti punën përmes një kanali në Telegram që ofronte punë ditore dhe punë dytësore. Dukej mjaft e lehtë: ai duhej të udhëtonte nga shtëpia e tij në Ukrainën lindore drejt qytetit perëndimor të Rivnes, të merrte një çantë shpine që përmbante kanaçe boje dhe ta spërkaste jashtë stacionit lokal të policisë.

Kjo do të kërkonte pak shkathtësi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pa u kapur, por pagesa – 1,000 dollarë – ishte e mirë, madje fantastike, për një punë që zgjaste vetëm pak orë për 19-vjeçarin.
Por, kur në një mëngjes me dëborë në fillim të shkurtit ai hapi çantën jashtë stacionit të policisë në Rivne, u tërhoq i tmerruar. Në vend të kanaçes me bojë, pa diçka që ngjasonte me bombë të improvizuar, me tela që dilnin jashtë dhe një telefon celular të bashkangjitur, që dukej si mekanizëm i thjeshtë shpërthimi në distancë.

Pajisja, nëse do të shpërthente, do ta kishte kthyer Olehun në kamikaz pa dijeninë e tij, pjesë kjo e një trendi të errët të sulmeve brenda Ukrainës që, sipas agjencisë ukrainase të sigurisë SBU, janë organizuar nga oficerë të inteligjencës ruse. Deri më tani, ka pasur dhjetëra sulme ku autori është lënduar ose vrarë, bazuar në burimet e forcave ukrainase të rendit.

“Fushata e sabotazhit e Rusisë brenda Ukrainës nisi pranverën e kaluar”, ka thënë për “The Guardian” zëdhënësi i SBU-së, Artem Dekhtiarenko. Në fillim përfshinte zjarrvënie ndaj automjeteve ushtarake, zyrave të rekrutimit dhe zyrave postare. Ajo synonte kryesisht rajonet perëndimore të Ukrainës, larg vijës së frontit.

Ukrainasve, shpesh adoleshentëve, u ofroheshin para përmes rrjetit social Telegram për të kryer sulmet nga “kujdestarë” që njëkohësisht bënin premtime, si dhe i shantazhonin për t’i rekrutuar.

Autorët më pas duhej të bënin një video të zjarrvënies me telefonat e tyre dhe ta dërgonin regjistrimin si dëshmi që detyra ishte kryer. Këto video përfundonin gjithmonë në kanale proruse në Telegram, si dëshmi gjoja e pakënaqësisë së brendshme në Ukrainë, duke nxitur tensione reale shoqërore rreth çështjeve si rekrutimi, të cilat janë përshkallëzuar gjatë luftës së Rusisë kundër vendit.

Këto sulme hyjnë në kuadër të luftës së fshehtë dhe të errët, që zhvillohej paralelisht me konfliktin në vijat e frontit. Rusia gjithashtu po kryen zjarrvënie dhe sulme sabotazhi nëpër vende të Evropës, sipas disa agjencive të inteligjencës perëndimore, teksa shërbimet ukrainase besohet të kenë qenë pas disa sulmeve të ngjashme ndaj zyrave të rekrutimit në Rusi në fazat e hershme të luftës.

Në fund të vitit 2024, Rusia vendosi të përshkallëzonte operacionet, duke kaluar nga zjarrvëniet e thjeshta në Ukrainë në sulme me bomba që ngjajnë më shumë me taktika të grupeve terroriste. 

“Ata filluan rekrutimin masiv të ukrainasve për të vendosur bomba: në makina, pranë zyrave të rekrutimit, pranë stacioneve të policisë dhe kështu me radhë”, ka thënë Dekhtiarenko.

Ky rrëfim rreth fushatës së re të bombardimeve të Rusisë në Ukrainë bazohet në intervista brenda burgut me autorët, të cilët aktualisht janë të ndaluar dhe presin gjyqin. Emrat e tyre janë ndryshuar. Rrëfimi gjithashtu mbështetet në materiale dhe intervista me disa operativë të SBU-së që kanë punuar në raste të ngjashme.

Sipas SBU-së, rusët rekrutojnë rrjete ukrainasish, ku njëri përgatit bombën dhe e lë në një vend të caktuar. Një tjetër më pas e merr atë, pa e ditur fare se çfarë është. Në këtë mënyrë, kujdestarët rusë mund të kryejnë shpërthime thellë në territorin ukrainas, pa pasur nevojë të shkelin në vend.

Në SBU kanë bërë të ditur se kanë arrestuar mbi 700 persona që nga fillimi i vitit 2024 për sabotazh, zjarrvënie apo terrorizëm. Shumë prej tyre janë të papunë ose kanë nevojë për para për të ushqyer varësitë e tyre, ndërkaq rreth një e katërta janë adoleshentë – më e reja deri tani është një vajzë 11-vjeçare nga rajoni i Odesës.

“Në disa raste, agjentët jo vetëm që vendosin bombën, por luajnë në mënyrë të pavetëdijshme rolin e kamikazit. Rusët i hedhin në erë agjentët e tyre; kjo gjë po bëhet praktikë e zakonshme”, ka thënë Dekhtiarenko.

Oleh, 19 vjeç dhe i papunë, kishte shumë nevojë për para. 

“Rrija në shtëpi dhe s’bëja pothuajse asgjë”, kështu i kishte përshkruar ai tre vjetët e fundit, që prej largimit nga shkolla.

Në vitin 2024, ai u bë baba dhe tani kishte një foshnjë për të mbajtur. Kështu, kalonte shumë kohë në kanale të ndryshme të Telegramit që ofronin “punë në Ukrainë”, duke kërkuar të fitonte ndonjë të ardhur të shpejtë. Në njërën prej tyre pa një postim nga një burrë i quajtur Anton.

“Ai më tha se kishte punë të lehta, pagesa në dollarë. Kur kontaktova me të, më kërkoi të bëja foto të gjykatës, zyrës së rekrutimit, dhe stacionit të policisë [në qytetin tim]. Më pagoi 50 dollarë, përmes një portofoli të kriptove”, ka rikujtuar Olehu. 

Kujdestarët rusë zakonisht fillojnë me detyra të thjeshta si kjo, kanë njoftuar oficerët e SBU-së. Të bësh foto të vendeve të ndjeshme është kërkesë e zakonshme; të printosh dhe të ngjitësh disa fletushka nxitëse është diçka tjetër. Pastaj, sapo rekruti të jetë “kapur”, detyrat bëhen edhe më të rrezikshme.

“⁠Ndonjëherë përdorin kërcënime, ndonjëherë janë miqësorë dhe inkurajues. Varet nga kujdestari; ata përdorin manipulime të ndryshme psikologjike për persona të ndryshëm”, ka deklaruar Dekhtiarenko.

Shpeshherë, kujdestarët përdorin zhargon rinor për të krijuar përshtypjen se rekruti po flet me dikë të moshës së vet. Ndonjëherë flirtojnë me rekrutët ose ofrojnë mbështetje emocionale për situata të vështira familjare. Zakonisht nuk zbulojnë se janë rusë; mund të pretendojnë se janë ukrainas “të lodhur nga lufta”, që duan të tregojnë se ka kundërshtim ndaj saj.

Nëse rekruti heziton, kujdestari mund të zbulojë lidhjen me Rusinë dhe ta shantazhojë atë në mënyrë që ta shtyjë drejt veprimeve të tjera, duke kërcënuar se do të dërgojë provat e bashkëpunimit të mëparshëm në SBU.

“Pasi dikush kryen detyrën e parë, e ka shumë të vështirë të dalë”, ka thënë Dekhtiarenko. 

Pak kohë pasi i kishte bërë fotot, Antoni i pati ofruar Olehut një punë të re: të digjte një ndërtesë në qytetin e tij. Olehu nuk donte ta bënte; nuk ishte terrorist, i kishte thënë ai burrit. Kur Antoni këmbënguli, Olehu e bllokoi.

Mirëpo kjo përvojë i mbeti në mendje, sepse kishte shumë nevojë për para. Kështu që, kur disa javë më vonë një burrë tjetër, që pretendonte të quhej Aleksandër, e kishte kontaktuar në Telegram dhe i pati sugjeruar mundësinë për të fituar 1,000 dollarë pa pasur nevojë të digjte gjë, tundimi ishte i madh.

Olehu kishte frikë ta bënte i vetëm detyrën, ndaj thirri mikun e vjetër të shkollës, Serhiy, dhe i propozoi ta bënin së bashku. I premtoi se do ta ndanin pagesën e 1,000 dollarëve përgjysmë.

“Ai më tha: ‘Kam ca punë, do të vish në Rivne?’ Unë i thashë: ‘Çfarë pune?’ dhe ai më tha: ‘Do ta tregoj më vonë’”, ka rikujtuar Serhiy në një intervistë. Serhiy pranoi shpejt; pasi që ishte i papunë dhe kishte dy fëmijë. Paratë ishin shumë të dobishme.

Olehu i kishte treguar të dashurës së tij se do të mungonte për disa ditë për të fituar disa para për të dhe fëmijën. Aleksandri, “kujdestari” në Telegram, i dërgoi rreth 200 dollarë paraprakisht për shpenzime, përsëri në formë të kriptomonedhës, përderisa ai bleu bileta autobusi nga rajoni i Sumyt për në Rivne. Udhëtimi zgjati gjithë ditën; Olehu dhe Serhiy arritën në Rivne vonë në mbrëmje. 

Të nesërmen në mëngjes, Aleksandri i kishte dërguar Olehut vendndodhjen. “Ai na bëri me dije se gjithçka që duhet të bëjmë është të marrim një çantë me kanaçe të bojës”, ka rrëfyer Serhiy. Të dy u nisën, paksa të nervozuar.

Kur arritën në vendin e caktuar, Olehu e thirri kontaktin e tij në Telegram, i cili e udhëzoi me telefon. “Ai më tha: ‘Kthehu djathtas, mes garazhit numër 32 dhe 33, dhe do të shohësh një gomë’”, ka theksuar Oleh. Brenda gomës gjeti një çantë shpine të zezë dhe një qese plastike të bardhë. I mori që të dyja, ashtu siç ishte udhëzuar.

Aleksandri i pati thënë Olehut të mos i hapte çantat, por të shkonte në vendndodhjen tjetër që do t’ia dërgonte përsëri përmes Telegramit – lokacioni ishte stacioni lokal i policisë – dhe pastaj ta telefononte. Kanaçja ishte e përgatitur për të shpërthyer sapo të hapej çanta, duke spërkatur muret e stacionit të policisë me bojë dhe duke dhënë një mesazh kundër sistemit mbi pakuptimësinë e luftës. 
Olehu dhe Serhiy kishin rënë dakord që do të ndaheshin përpara se të arrinin në stacionin e policisë; Olehu do të kujdesej për koordinimin me Aleksandrin se ku duhej lënë çanta, përderisa Serhiy do të rrinte roje për të parë nëse po i ndiqte ndokush dhe për të paralajmëruar mikun e tij nëse shihte diçka të dyshimtë.

Aleksandri e pati telefonuar Olehun, tek i kishte thënë që të hapte qesen e bardhë plastike dhe të nxirrte kutinë që ndodhej brenda saj. Pastaj duhej të ecte, duke e mbajtur në dorë, drejt hyrjes së stacionit të policisë.

Olehu kishte vepruar fiks siç u urdhërua, por filloi të dyshonte dhe e hapi kutinë për të kontrolluar se çfarë kishte brenda. Ngeli i tronditur kur pa diçka që i ngjante shumë një bombe. I mbërthyer nga paniku, vendosi të vraponte drejt oficerit më të afërt të policisë, teksa i kishte treguar atij që kishte frikë se po mbante eksplozivë. Pikërisht në atë moment, operativët e SBU-së ndërhynë duke i kapur të dy, Olehun dhe Serhiyn, rrjedhimisht duke ia konfiskuar pakot dhe duke i shtrirë përtokë.

Një ekip i SBU-së kishte qenë duke i vëzhguar Olehun dhe Serhiyn që nga momenti kur kishin marrë bombën, sipas një operativi të përfshirë në rast. Vetëm tre ditë më parë, në Rivne kishte ndodhur një sulm shumë i ngjashëm. 

Një 21-vjeçar i papunë ishte rekrutuar përmes Telegramit për të marrë një pajisje dhe për ta çuar në drejtim të zyrave të rekrutimit ushtarak në qytet. Pajisja shpërtheu, duke vrarë sulmuesin dhe plagosur njëkohësisht tetë ushtarë.

Operativi e ka përshkruar hap pas hapi skemën në rastin e Olehut dhe Serhiyt: çanta e zezë përmbante një pajisje shpërthyese artizanale, e mbushur me vida dhe gozhdë; qesja më e vogël përmbante një kuti të bardhë me pajisje shpërthyese.

Kjo kuti kishte po ashtu një vrimë të vogël, ku ishte vendosur një kamerafon që transmetonte vendndodhjen dhe pamje nga ambienti përreth te Aleksandri, i cili gjithashtu ishte duke folur me Olehun përmes Telegramit. Ai mund të shikonte video në kohë reale nga vendndodhja e Olehut dhe ta drejtonte atë te vendi i mbushur me njerëz. Pastaj, ndërsa Olehu priste urdhrin për të nxjerrë nga çanta, gjoja kanaçen me bojë, kujdestari do të aktivizonte të dyja pajisjet, duke thirrur telefonat e lidhur me to.

Po të kishte ndodhur shpërthimi, Oleh me shumë gjasë do të ishte i vdekur – ashtu si sulmuesi i tre ditëve më parë. 

Por SBU-ja i kishte ndjekur të dy dhe kishte pajisje speciale me vete, ka bërë të ditur operativi, pasi kishin pritur një tjetër sulm pas shpërthimit të mëparshëm. “Kishim mjete teknike të posaçme për të bllokuar sinjalet drejt telefonit”, ka njoftuar burimi. Kur Aleksandri thirri telefonat e lidhur me bombat me qëllimin për t’i shpërthyer, thirrjet nuk u realizuan.

Sa i përket identitetit të vërtetë të Aleksandrit, SBU-ja nuk është e sigurt, megjithatë është e bindur në vlerësimin se, në një mënyrë apo tjetër, ai përfaqësonte shërbimet ruse. 

SBU-ja ende nuk ka gjetur personin që prodhoi bombat, të cilat u pranuan nga Olehu dhe Serhiy, megjithëse supozohet se është një tjetër adoleshent ukrainas i rekrutuar nga Aleksandri. 

Për ta frenuar rekrutimin e adoleshentëve për detyra të tilla, SBU-ja ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi në shkollat ukrainase, në mënyrë që të paralajmërojë fëmijët sa u përket rreziqeve të pranimit të këtyre ofertave nga persona të panjohur në Telegram.