Ushtria ruse ka lëshuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa në drejtim të Ukrainës të shtunën, në sulmin e katërt madhor këtë muaj, duke shënjestruar qytetet perëndimore të vendit dhe duke vrarë të paktën dy persona në Chernivtsi, pranë kufirit me Rumaninë, ka shkruar Reuters.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Rusia kishte lëshuar gjithsej 597 dronë dhe 26 raketa, të cilat lanë të plagosur 20 persona të tjerë si dhe dëmtuan infrastrukturën civile nga Kharkivi dhe Sumy në verilindje deri në Lviv, Lutsk dhe Chernivtsi në perëndim.
Njësitë e Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar 25 raketa dhe 319 dronë të tipit Shahed, teksa 258 dronë të tjerë u penguan ose devijuan nga caku nëpërmjet përdorimit të pajisjeve elektronike.
“Ritmi i sulmeve ajrore të Rusisë kërkon vendime të shpejta, dhe mund të frenohet tani me sanksione”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social Telegram, tek ka përsëritur thirrjet për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë dhe për dërgimin e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
“Kjo luftë mund të ndalet vetëm me forcë. Ne presim jo vetëm sinjale nga partnerët tanë, por edhe veprime që do të shpëtojnë jetë”, ka thënë ai.
Sulmi është pjesë e një serie të vazhdueshme goditjesh ajrore në kohët e fundit. Rusia e ka rritur ndjeshëm përdorimin e dronëve dhe raketave kundër Ukrainës që nga muaji qershor.
Misioni monitorues i të drejtave të njeriut i OKB-së në Ukrainë, ka njoftuar se muaji qershor shënoi numrin më të lartë mujor të viktimave civile në tre vitet e fundit.
Zyrtarët ukrainas kanë njoftuar se qytetet perëndimore të Ukrainës sikurse Lvivi, Lutski dhe Chernivtsi ishin më të goditurat gjatë sulmit ajror të brenda një nate.
Guvernatori i rajonit të Chernivetskyit, Ruslan Zaparaniuk, ka lajmëruar se një grua 26-vjeçare dhe një burrë 43-vjeçar u vranë, ndërsa 14 persona të tjerë u plagosën, pasi dronët dhe raketat ruse goditën qytetin, i cili ndodhet rreth 40 kilometra nga kufiri i Ukrainës me Rumaninë.
Zyrtarët rajonalë kanë raportuar gjithashtu për disa zjarre që shpërthyen në qytet, si dhe për dëme në shtëpi të banimit dhe ndërtesa administrative.