Rusia të mërkurën ka hapur ekspozitë me pajisjet ushtarake perëndimore të cilat i ka kapur në luftën në Ukrainë. Ekspozita u mbajt në kompleksin memorial të Moskës kushtuar humbjes së Gjermanisë naziste nga Bashkimi Sovjetik.
Rusia i konsideron pajisjet si trofe lufte dhe ka vendosur t'i ekspozojë ato.
Në ekspozitë është edhe automjeti mbështetës taktik i ushtrisë britanike, “Husky”, i cili i ishte dhuruar Ukrainës. Xhami i përparmë i tij është i mbuluar me vrima plumbash.
Përballë “Husky”, siç raporton BBC-ja, shihen edhe tanket perëndimore që i janë transferuar ushtrisë ukrainase. Një tank amerikan “Abrams” dhe një tank gjerman “Leopard” ishin pjesë e ekspozitës.

Në fakt, ka linjë të gjatë të armatimit gjerman. Dhe mbi të një shenjë: “Historia po përsëritet”.
Autoritetet ruse duan që publiku të mendojë se lufta në Ukrainë dhe Lufta e Dytë Botërore kanë emërues të përbashkët: Rusia si viktimë, nën sulmin e armiqve jashtë vendit.
Në realitet, të dy luftërat janë shumë të ndryshme. Më 1941 Gjermania pushtoi Rusinë. Në vitin 2022 Rusia nisi pushtim të plotë të Ukrainës.
Më shumë se 30 automjete të blinduara janë ekspozuar.
Por pse?
Rusët nuk e shpikën ekspozimin e pajisjeve ushtarake. Në të kaluarën Ukraina ka shfaqur pajisje ushtarake ruse që ishin kapur nga ushtria ukrainase.
Por për autoritetet ruse, kjo ekspozitë ka disa objektiva kyç.
E para është të përforcojë narrativën e Kremlinit se, në Ukrainë, NATO - dhe Perëndimi në tërësi - po bëjnë luftë kundër Rusisë.
“Qëllimi këtu është të demonizohet Perëndimi edhe më tej në mendjet e rusëve”, shkruan BBC.
Pastaj është simbolika historike. Më 9 maj, në Rusi është festë kombëtare e cila shënon humbjen e Adolf Hitlerit.
