Botë

Rusia e akuzon Ukrainën se po e shtyn shkëmbimin e madh të të burgosurve

rs

Foto: Associated Press

Autoritetet ruse kanë akuzuar Ukrainën të shtunën se është duke e zvarritur shkëmbimin në shkallë të gjerë të të burgosurve dhe kthimin e trupave të ushtarëve të pajetë, çështje mbi të cilën palët ishin pajtuar gjatë bisedimeve në Stamboll të Turqisë në fillim të javës, ka raportuar The Guardian.

“Pala ukrainase ka shtyrë për një periudhë të pacaktuar si pranimin e trupave, ashtu edhe shkëmbimin e të burgosurve të luftës”, ka shkruar kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky.

E më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Andrii Sybiha, në reagim e sipër kundrejt sulmeve më të fundit ruse në Kharkiv dhe Kherson, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të “ushtrojnë më shumë presion ndaj Moskës”, teksa Rusia po vazhdon “terrorin e saj ndaj civilëve”.

“Për t’u dhënë fund vrasjeve dhe shkatërrimit nga ana e Rusisë, nevojitet më shumë presion ndaj Moskës, si dhe më shumë hapa për forcimin e Ukrainës”, ka thënë Sybiha.

Forcat Ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se Rusia kishte lëshuar 206 dronë dhe nëntë raketa gjatë një vale sulmesh brenda natës.

Të paktën 3 persona mbetën të vrarë dhe 21 të tjerë u lënduan nga sulmet ruse mbi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, ka njoftuar kryetari i po këtij qyteti, Ihor Terekhov.

E në qytetin jugor të Khersonit, bombardimet ruse vranë një çift dhe dëmtuan dy ndërtesa shumëkatëshe, sipas guvernatorit të rajonit, Oleksandr Prokudin.

Sulmet janë raportuar gjithashtu në rajonet e Dnipropetrovskut, Odesës dhe Ternopilit.