Qindra ushtarë rusë të uritur dhe të braktisur po vriten nga dronët ukrainas në “zonën e vdekjes” në Dnipro, thotë një raport.
Lumi, i rrethuar nga ishuj kënetorë të ulët, është i ndarë midis kontrollit rus në bregun e majtë dhe atij ukrainas në të djathtë.
Të paktën 5.100 rusë kanë vdekur në këtë zonë që nga janari i këtij viti, disa nga uria, sipas inteligjencës ukrainase.
Pamjet e shpërndara nga Brigada e 40-të e Mbrojtjes Bregdetare e Korpusit të Marinës Ukrainase tregojnë disa anije të improvizuara ruse që i afrohen kënetës bregdetare, vetëm për t’u hedhur në erë nga dronë vetëvrasës ukrainas.
“Zona është një zonë vdekjeje për Rusinë”, tha për The Telegraph koloneli Oleksandr Zavtonov i Korpusit të 30-të të Marinës ukrainase. “Nuk ka vend për t’u fshehur”.
Ai shtoi: “Të burgosurit që luftëtarët tanë kanë kapur, kanë folur për pamundësinë për të pasur qasje në ushqim dhe ujë, gjithashtu kanë treguar se janë detyruar të pinë ujë nga lumi”.
Një nga frontet më vdekjeprurëse dhe më të rrezikshme, zona mund të jetë e vlefshme për vëzhgim dhe krijimin e rrjeteve radio për operacione ajrore pa pilot. Kontrollimi i zonës mund t’u mundësojë ushtarëve të ndikojnë në furnizimin dhe lëvizjet e anijeve të vogla.
Megjithatë, i lë ushtarët plotësisht të ekspozuar.
“Është një zonë e madhe ujore, nuk ka vend për t’u fshehur në ishuj dhe terreni është kryesisht moçalor dhe njësitë që kalojnë përmes tyre do të jenë shumë të cenueshme”, shpjegoi ai.
Ushtarë të dëshpëruar kapen duke u munduar të kamuflohen në mënyrë që të kthehen në zonat ku Rusia ka kontroll të ujit.