Forcat ajrore të Rusisë hodhën raketë masive në territorin e saj në fillim të këtij muaji, sipas një raporti të medias së pavarur ruse “Astra”, shkruan “Politico”. Ende s'dihet se a ka qenë e qëllimshme.
Javën e kaluar, forcat ajrore ruse “hodhën” një raketë X-59 në rajonin e Belgorodit, 92 kilometra nga kufiri me Ukrainën, brenda territorit të vet.
“Ushtria më pas e shkatërroi [raketën]. Nuk ka pasur viktima”, ka raportuar “Astra”.
Në përgjithësi, të paktën 21 bomba ajrore të ushtrisë ruse kanë rënë në Rusi ose në territoret e okupuara të Ukrainës vetëm në mars dhe prill.
“Nuk ka përgjigje të saktë pse kjo vazhdon të ndodhë”, shkruan media ruse.
Më 2 prill, një avion bombardues rus hodhi eksploziv pranë stacionit hekurudhor në Rubizhne, një qytet në pjesën e pushtuar të rajonit të Luhanskut.
“S’është raportuar për viktima, të mbijetuarit u evakuuan", pati thënë në një deklaratë Artem Lysohor, kreu i administratës ushtarake të Ukrainës në rajonin e Luhanskut.
Më 20 prill të vitit të kaluar një bombë ajrore ruse ra në qendër të Belgorodit [qytet rus]. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë në një deklaratë se “gjatë fluturimit të avionit Su-34 të Forcave Ajrore mbi qytetin e Belgorodit, ndodhi rënie e pazakontë e municioneve të aviacionit”.