Botë

Rusia arreston zëvendësministrin e Mbrojtjes nën dyshimet për korrupsion

Presidenti rus, Vladimir Putin bashkë me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe zëvendësministrin Timur Ivanov

Presidenti rus, Vladimir Putin bashkë me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe zëvendësministrin Timur Ivanov

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Timur Ivanov, është arrestuar të martën nën dyshimin për marrje ryshfeti, ka njoftuar Komiteti Hetues i Rusisë, raportoi “The Moscow Times”.

Në deklaratën e lëshuar nga ky komitet nuk janë dhënë shumë detaje.

“Zëvendësministri i Mbrojtjes i Federatës Ruse, Timur Vadimovich Ivanov është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e një krimi sipas pjesës 6 të nenit 290 të Kodit Penal (marrje e ryshfetit)”, thuhet në njoftim.

Siç është raportuar, vepra dënohet me gjobë të madhe ose me mbi 10 vjet burg, në varësi të detajeve të krimit. 

Ivanovi është nën sanksionet e Bashkimit Evropian si zyrtar i lartë i Ministrisë ruse të Mbrojtjes. 

Ai gjithashtu ishte objekt hetimi i liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny. Në raportin e publikuar në vitin 2022 nga Fondacioni Anti-Korrupsion i Navalnyt thuhej se Ivanovi mbikëqyrte dhe përfitoi nga projektet e ndërtimit në Mariupol të Ukrainës, vend ky që ra nën kontrollin e Moskës pas një rrethimi prej disa muajsh. 

Në këtë raport tutje thuhej se zëvendësministri është divorcuar nga gruaja e tij për ta lejuar atë të anashkalohej nga sanksionet e BE-së.