Botë

Rusia arreston një të dyshuar për atentat ndaj një gjenerali, akuzon Ukrainën

Rusi

Komiteti Hetimor i Rusisë ka thënë të dielën se personi i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të zëvendësshefit të shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë në Moskë është ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u është dorëzuar autoriteteve ruse.

Gjenerallejtënant, Vladimir Alekseyev, ndodhet në spital pasi është qëlluar disa herë të premten nga një sulmues në një ndërtesë banimi në veriperëndim të Moskës, ka thënë Komiteti Hetimor. 

Sulmi ka pasuar një seri atentatesh ndaj oficerëve të lartë ushtarakë, për të cilat Rusia ka fajësuar Ukrainën.

Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, ka thënë se shtetasi rus, Lyubomir Korba, është ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe nën dyshimin se ka kryer sulmin.

“Është vërtetuar se Korba mbërriti në Moskë në fund të dhjetorit të vitit të kaluar me udhëzime nga shërbimet speciale ukrainase për të kryer një akt terrorist”, ka thënë Petrenko.

Sipas Komitetit Hetimor, janë identifikuar edhe dy “bashkëpunëtorë”, njëri prej të cilëve është ndaluar në Moskë, ndërsa tjetri “është larguar për në Ukrainë”.

I pyetur për sulmin, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka thënë të premten se hetimi i takon organeve të zbatimit të ligjit, por e ka përshkruar ngjarjen si një “akt terrorist” nga Ukraina, me synim sabotimin e bisedimeve të paqes.

Ndërkohë, Kievi zyrtar nuk e ka komentuar ende rastin.

Sulmi ka ndodhur një ditë pasi negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë përfunduan dy ditë bisedimesh në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, që kishin për qëllim t’i jepnin fund konfliktit pothuajse katërvjeçar në Ukrainë. Delegacioni rus drejtohej nga eprori i Alekseyevit, shefi i inteligjencës ushtarake, Admirali Igor Kostyukov.