Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se “askush nuk e di” kush do ta merrte pushtetin nëse lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, rrëzohet.
Ruboi ka deklaruar se do të ishte “shumë më komplekse” sesa situata në Venezuelë dhe se do të kërkonte shumë më shumë kujdes. Ai po ashtu ka shtuar se SHBA-ja do të sulmonte Iranin për të mbrojtur forcat amerikane në rajon, raportoi CNN.
“Mendoj se është e mençur dhe e matur të kemi një forcë të pozicionuar brenda rajonit që mund të përgjigjet dhe potencialisht, jo domosdoshmërisht, të përcaktojë se çfarë do të ndodhë, por nëse është e nevojshme të parandalojë paraprakisht sulmin kundër mijëra ushtarëve amerikanë dhe aleatëve tanë”, ka thënë Rubio gjatë dëshmisë për operacionin në Venezuelë para Senatit.
Ruboi ka theksuar se shpreson që nuk do të arrijë deri te sulmi, por ka shtuar se Irani ka grumbulluar kapacitete për të kryer një sulm.
“Nuk mendoj se dikush mund t’u japë një përgjigje të thjeshtë se çfarë do të ndodh në Iran nëse lideri suprem dhe regjimi bie, përveç shpresës se do të ishte dikush brenda sistemit me të cilin mund të punoni drejt një transicioni”, ka thënë ai.
Rubio dëshmoi për gati tri orë para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të mërkurën. Ai mbrojti punën e administratës Trump me qeverinë e përkohshme venezuelase, duke theksuar se ka progres dhe se SHBA-ja po punon për një transicion drejt një demokracie në Venezuelë.
Ai po ashtu mbrojti vendimin për të mos kërkuar autorizimin e Kongresit ose dhënies së njoftimit paraprakisht për operacionin ushtarak në Venezuelë, ku u arrestua ish-presidenti Nicolas Maduro.
Sa i përket Grenlandës, Rubio theksoi se gjërat “janë në vendin e duhur aktualisht” duke shtuar se diskutimet e mëtejme në nivel teknik fillojnë të mërkurën dhe se do të jenë të vazhdueshme.
Për luftën në Ukrainë, Rubio ka thënë se negociatat kanë mbetur te “pretendimet territoriale për Donetskun”.
Po ashtu, Rubio deklaroi se administrata Trump do të donte të shihte ndryshim të regjimit në Kubë, por se kjo “nuk nënkupton se ne do ta bëjmë ndryshimin”.