Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, ka deklaruar të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të shqetësuara” për situatën e rënduar humanitare në Rripin e Gazës, ka raportuar BBC.
Ai i bëri këto komente në kohën kur të paktën 114 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite të enjten, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.
I pyetur nëse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, vazhdon të mbështesë plotësisht natyrën e veprimeve ushtarake të Izraelit, duke pasur parasysh shkallën e sulmeve të fundit dhe bombardimin e spitaleve, Rubio ka përsëritur thirrjet ndaj grupit militant, Hamas, që të dorëzohet dhe t’i lirojë pengjet, tek ka shtuar se nuk mund të ketë paqe për sa kohë ky grup ekziston.
“Megjithatë, ne nuk jemi imun apo në asnjë mënyrë të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të popullit të Gazës, dhe e di që ekzistojnë mundësi për t’u ofruar ndihmë atyre”, ka thënë ai.
Gaza ka qenë nën një bllokadë të plotë izraelite për të gjitha ushqimet dhe furnizimet e tjera humanitare për 10 javë rresht. Forcat izraelite kanë intensifikuar bombardimet ndaj asaj që e cilësojnë si infrastrukturë e Hamasit, në prag të zgjerimit të planifikuar të ofensivës tokësore në Gaza.
Komentet e Rubios, të bëra pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Turqi, sipas BBC-së, i referoheshin një propozimi kontrovers izraelito-amerikan për të përdorur kompani private nëpër pikat e grumbullimit të ndihmave në Gaza. Ky plan është refuzuar nga Kombet e Bashkuara si joetik dhe i pazbatueshëm.