Botë

Rubio premton kthimin e të gjithë trupave të pengjeve në Izrael

Rubio premton kthimin e të gjithë trupave të pengjeve në Izrael

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është zotuar të shtunën se do të sigurojë kthimin e të gjithë trupave të pengjeve të vdekur që ende mbahen në Gazë, gjatë një takimi që ka pasur me familjet e dy pengjeve në Izrael.

“Ne nuk do të harrojmë jetët e pengjeve që vdiqën në robërinë e Hamasit”, ka shkruar ai në X. “Sot u takova me familjet e qytetarëve amerikanë, Itay Chen dhe Omer Neutra. Nuk do të pushojmë derisa mbetjet e tyre, dhe të gjithë të tjerëve, të kthehen”.

Chen, me shtetësi të dyfishtë izraelito-amerikane dhe toger në ushtrinë izraelite, po shërbente në kufirin me Rripin e Gazës kur Hamasi dhe aleatët e tij sulmuan më 7 tetor 2023. Ushtria e shpalli vdekjen e Chen pesë muaj më vonë, në mars 2024. Sipas njoftimit, Chen, 19 vjeç në kohën e sulmit, vdiq në luftime dhe trupi i tij u mor në Gazë, transmeton REL.

Neutra, 21 vjeç në kohën e sulmit dhe gjithashtu me shtetësi të dyfishtë SHBA-Izrael, ishte ushtar vullnetar që u vra më 7 tetor. I rritur në Nju Jork, Neutra kishte shkuar në Izrael për të njohur vendin e prindërve të tij, tha nëna e tij, Orna Neutra, për AFP-në në nëntor 2023. Ai më vonë u regjistrua në shërbimin ushtarak, ashtu si shumica e të rinjve izraelitë.

Sipas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara midis Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, të gjithë 20 pengjet e gjallë janë liruar nga militantët palestinezë.

Mbetjet e 15 pengjeve të vdekur janë kthyer gjithashtu në Izrael, ndërsa trupat e 13 të tjerëve mbeten në Gaza.

Në këmbim, Izraeli ka liruar gati 2.000 të burgosur, kryesisht palestinezë, së bashku me dhjetëra trupa palestinezësh, si pjesë e marrëveshjes.

Armëpushimi ka ndalur kryesisht armiqësitë, por të dielën Izraeli kreu një valë sulmesh ajrore që, sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit, lanë të vrarë dhjetëra banorë të Gazës.

Izraeli tha se trupat e tij u sulmuan, duke rezultuar në vdekjen e dy ushtarëve, pas së cilës nisi sulmet ajrore. Më vonë, Izraeli forcoi përsëri armëpushimin.