Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Venezuela është një "udhëkryq për shumë nga kundërshtarët tanë" dhe se ata duan ta bëjnë atë "të mos jetë më një parajsë e trafikimit të drogës".
"Padyshim që ne duam një të ardhme më të mirë për popullin e Venezuelës", ka thënë ai, duke shtuar se SHBA-ja do që ata të kenë një industri nafte ku pasuria shkon "te populli".
Ai është pyetur se sipas çfarë autoriteti ligjor SHBA-ja ka ndërmarrë veprime në Venezuelë.
"Ne kemi urdhra gjykate - a nuk është gjykata një autoritet ligjor?", është shprehur Rubio.
I pyetur nëse SHBA-ja po e drejton tani Venezuelën, Rubio ka deklaruar se SHBA-ja po "udhëheq drejtimin" që i bën gjërat të ecin përpara.
Kryediplomati amerikan është pyetur po ashtu se çfarë ndodh nëse shqetësimet amerikane në lidhje me migracionin dhe trafikun e drogës nuk adresohen nga Venezuela.
Ai ka deklaruar se SHBA-ja do të "ruajë të gjitha opsionet që kishte para arrestimit të Maduros".
Rubio: S’jemi në luftë me Venezuelën
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA-ja nuk është në luftë me Venezuelën.
"Kjo nuk është një luftë”, ka thënë ai.
"Dua të them se ne jemi në luftë kundër organizatave të trafikimit të drogës, kjo nuk është një luftë kundër Venezuelës”, ka shtuar ai duke folur për mediat të dielën.
Ai ka thënë se sekuestrimi i anijeve të sanksionuara "që sjellin drogë drejt Shteteve të Bashkuara" do të vazhdojë.
"Ne po zbatojmë ligjet amerikane në lidhje me sanksionet e naftës”.